Feja është institucion hyjnor, i cili udhëzon njerëzit e mençur, që me dëshirën e tyre, të bëjnë atë që vetvetiu është e mirë. Feja ndalon të gjitha ato që janë të dëmshme e të këqija për trupin, shpirtin, zemrën, mendjen, pasurinë dhe nderin e njeriut.
Veprimi i diçkaje që është e ndaluar në fenë islame, quhet gjynah. Gjithashtu, gjynah janë edhe braktisja dhe neglizhimi me dashje i adhurimeve dhe detyrave fetare. Gjynahu është një e keqe që sjell pasoja negative, si në këtë jetë, ashtu edhe në jetën tjetër.
Në përgjithësi, gjynahet ndahen në të vogla dhe të mëdha. Por shumë dijetarë tërheqin vërejtjen, se myslimani nuk duhet të shohë se sa i madh apo i vogël është gjynahu i tij, por kujt po i bën gjynah. Kjo, sepse të gjitha shkeljet dhe mosrespektimet e urdhrave të Allahut, janë gjynahe ndaj Tij, sado të vogla qofshin ato.
Cënimi i jetës, shëndetit, pasurisë dhe nderit të tjetrit, janë gjynahe edhe ndaj të tjerëve, por edhe ndaj Allahut.
Gjithashtu, edhe mundimi i gjallesave, vrasja, shkatërrimi i ambientit dhe bimëve, pa arsye të logjikshme, janë gjynahe ndaj Allahut të Madhërishëm, sepse të gjitha këto, janë amanete që Ai ua ka lënë njerëzve për t’i ruajtur dhe për t’i përdorur pa i shpërdoruar.
Gjynahet e mëdha janë të shumta, por këtu do të përmendim disa gjynahe të cilat janë shkatërruese për njeriun:
1. Mohimi dhe ofendimi i Allahut (xh.sh.), i Pejgamberit (a.s.), i Kuranit dhe i të gjitha kushteve të islamit dhe imanit.
3. Vetvrasja dhe vrasja e tjetrit.
4. Keqtrajtimi dhe kundërshtimi i prindërve.
5. Gënjeshtra, dëshmia dhe betimi i rrejshëm, shpifa dhe tradhtia.
6. Vjedhja dhe kamata (fajdeja).
7. Imoraliteti, ngrënia dhe pirja e ushqimeve të ndaluara si dhe lojrat e fatit.
8. Përsëritja e gabimeve, edhe nëse janë të vogla.