Përmbushja e amanetit është një obligim madhor, një virtyt i lartë fetar dhe një prej bazave të Islamit. Njëherazi, përmbushja e amanetit është edhe treguesi i besimit të një individi. Profeti (a.s.) thotë: ”S’ka besim ai që nuk ruan amanetin.”
Përmbushja e amanetit është edhe një domosdoshmëri për shoqërinë njerëzore, sekreti i suksesit dhe çelësi i përparimit të saj; është shkaku i lumturisë. Planet dhe shpresat qëndrojnë drejt me jetësimin e tij.
Barra e amanetit është e rëndë dhe përgjegjësia e tij është e madhe. Me anë të tij është lartësuar Islami. Mbi të janë ndërtuar piketat, dhe nën dritën e tij njerëzit jetojnë.
Koncepti i amanetit nuk është i kufizuar vetëm me vendin e ngushtë që shumë njerëz mendojnë se ai zë; amaneti nuk konsiston vetëm në rikthimin e mallit tek i zoti i tij, por është shumë më i gjerë. Namazi, agjërimi, zeqati, haxhi dhe vepra të tjera simbole të fesë janë që të gjitha amanet; puna dhe dituria janë amanet; pasuria, familja dhe fëmijët janë amanet; fjala dhe sekreti janë amanet; edhe shqisat janë amanet. Amaneti, sikurse kanë thënë disa dijetarë muslimanë, i përfshin të gjitha funksionet e fesë.