Amaneti (besnikëria) është përmbushja e ” detyrimeve dhe kujdesi për to. Muslimani i jep gjithkujt të drejtën e tij. Ai kryen të drejtën e Allahut të Madhërishëm në adhurim. Ai ruan shqisat e tij nga rënia në të ndaluar (haram). Ai ua kthen amanetet, të zotëve të tyre. Amaneti është një virtyt shumë i çmuar islam dhe bazë nga bazat e tij. Amaneti është një detyrim madhor. Ai rrjedh nga besnikëria, siguria dhe qetësia.
Amaneti bën pjesë tek nevojat e domosdoshme shpirtërore, në mënyrë që njeriu të gëzohet në jetën e tij. Nëse imagjinojmë një njeri, i cili zotëron ndërtesa, pasuri, ushqim dhe në mes të këtyre mirësive atë e pret një luan i uritur, me gojë të hapur, a i shijon ky njeri këto mirësi, apo do të mendojë për luanin dhe për mënyrën se si të shpëtojë prej tij? S’ka dyshim se nëse mungon qetësia, njeriu nuk mund t’i gëzohet kurrë jetës. Kjo u ndodh njerëzve nëse u mungon siguria.
Amaneti është syçelësia në ndërgjegje mes robit dhe Allahut të Madhërishëm. Kështu, një person i tillë ka parasysh Allahun në të gjitha veprimet e tij. Përmes kësaj ai ruan veten të mos bjerë në gjynahe dhe, njëkohësisht, kryen detyrimet që ka ndaj të tjerëve. Me anë të amanetit realizohet besimi mes njerëzve. Besim do të thotë stabilitet në vetvete dhe në shpirt.