Allahu na ka krijuar që ta adhurojmë dhe të mos i bëjmë Atij shok në adhurim. Dëshmi për këtë është fjala e Allahut: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.” (Dharijat: 56) dhe hadithi i Pejgamberit alejhi selam: “Detyra e robërve ndaj Allahut është ta adhurojnë Atë dhe të mos i bëjnë Atij shok në adhurim”. (Mutefikun Alejhi. Transmeton Buhari dhe Muslimi)
Termi el-ibade është term që përfshin çdo vepër që kryhet e që e do Allahu si p.sh. duaja, namazi, frika etj. Allahu thotë: “Thuaj: ‘Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve.” (En’am: 162) Muhamedi alejhi selam duke transmetuar fjalët e Allahut në hadith kudsij thotë: “Vepra më e mirë dhe më e dashur me të cilën robi Im mund të më afrohet Mua është ajo të cilën ia kam bërë farz (obligim i domosdoshëm)”. (Transmeton Buhariu)
Llojet e adhurimit janë të shumta, këtu po përmendim vetëm disa, p.sh. adhurim është lutja, frika, shpresa, mbështetja, frikërespekti, kurbani, rukuja (përulja), sexhdja, tauafi (tauaf d.m.th. të rrotulluarit rreth Ka’bes), betimi, të gjykuarit etj.
Allahun duhet ta adhurojmë ashtu siç na ka urdhëruar Ai dhe i Dërguari i Tij alejhi selam Allahu thotë: “O ju besimtarë, respektojeni Allahun dhe të Dërguarin, e mos i çoni kot veprat tuaja.” (Muhamed: 33) I Dërguari i Allahut alejhi selam thotë: “Kushdo që në fenë tonë shpik diçka të re, ajo është e refuzuar (d.m.th. është e papranueshme).” (Transmeton Muslimi)