Kurani ka qenë i transkriptuar që në kohën e Profetit ﷺ. Gjithçka tregon se Profeti Muhamed nuk dinte as të lexonte dhe as të shkruante. Kështu, dijetarët janë të gjithë të një mendjeje për të deklaruar që ai ﷺ nuk ka marrë pjesë fare në redaktimin e Shpalljes. Ndaj dhe Kurani vetë e quan Muhamedin ﷺ “Profeti që nuk shkruan dhe nuk lexon”: “… dhe atyre që ndjekin të Dërguarin Tonë, Profetin që nuk di shkrim e lexim…” (7/157).“ Para atij (Kuranit), ti (Muhamed) nuk kishe lexuar kurrfarë libri e as që kishe shkruar gjë me dorën tënde; përndryshe, ndjekësit e së pavërtetës do të dyshonin.”(29/48).
Kur zbriste Shpallja Hyjnore, Profeti ﷺ kishte zakon të thërriste një shkrues dhe t’ia diktonte atë. Në Medinë, ai ﷺ kishte disa shkrues në shërbim të tij, ndër të cilët ka qenë Zejd bin Thabiti, i cili do të punonte për grumbullimin e Kuranit kohë më vonë. Shpesh Profetiﷺ urdhëronte: “Më thërrisni Zejdin! Thuajini atij të sjellë dërrasën dhe poçen e bojës!” Pastaj i thoshte atij: “Shkruaj!” (El-Buhâri)
Megjithëse vetë analfabet, Profeti ﷺ i inkurajonte myslimanët që të shkruanin. Nga ana tjetër, në lidhje me këtë fakt tregojnë se në kohë lufte, robërit kurejshi mund ta fitonin lirimin e tyre me kusht që t’u mësonin myslimanëve shkrim dhe lexim. Në këtë kohë, shkrimi nuk ishte aq i përhapur në Arabi. Megjithatë, disa persona ishin të njohur sepse dinin të shkruanin. Tregohet shembulli i Varaka ibn Naufalit, kushëririt të Hatixhes, i cili kishte zakon t’i shkruante ungjijtë në arabisht (El-Buhâri).
Një tregim tjetër na thotë se, kur njerëzia kishte ardhur në Medinë për të mësuar Islamin, ata morën kopje të kapitujve të Kuranit me qëllim që t’i lexonin dhe t’i mësonin përmendësh (Hamidullah M. Schifa,Hammam B. Munabih). Nga ana tjetër, materiali me të cilin u shkruajt Shpallja, u ruajt në shtëpinë e Profetit(s.a.) (Sujuti, El Itkân).