Besimi jonë në Ditën e Fundit

Besimi në Ditën e Fundit, që është Dita e Kiametit dhe Llogarisë, përfshin besimin në ringjalljen në botën tjetër dhe se jeta që bëjmë në këtë botë nuk është e përhershme. Madje, atë ditë Allahu do t’i gjykojë njerëzit në bazë të besimit, fjalëve dhe veprave të tyre. Ndër mësimet që përfitojmë nga besimi në Ditën e Fundit është përgatitja për atë ditë, transparenca dhe drejtësia ndaj të tjerëve, largimi nga dhuna, padrejtësia dhe shkelja e të drejtave morale dhe materiale të të tjerëve. Kjo, ngase ,nëse i padrejti apo krimineli mund t’i përvidhet gjykatës së kësaj bote, asaj të ahiretit kurrë nuk ka mundësi t’i shpëtojë.

Mësim tjetër është se Allahu do ta shpërblejë secilin, varësisht veprës së tij. Pra, ai që mëkaton duke i përshkruar Allahut shok, duke e mohuar apo duke e mohuar misionin e profetëve, dhe vdes pa u penduar, ai do të ndëshkohet. Besimi në Ditën e Fundit përfshin edhe besimin në Xhenetin dhe Xhehenemin. Kështu, ai që beson sinqerisht Allahun dhe të dërguarit e Tij, si dhe i kryen veprat e adhurimet në përputhje me urdhrat e Tij, ai do të ketë jetë të lumtur dhe do të hyjë në Xhenet. Ndërkaq, për atë që e mohon Allahun dhe i kundërshton fjalët e Tij, ç’fund mendoni se do të ketë?
Allahu na bëftë prej atyre që besojnë sinqerisht Atë dhe të dërguarit e Tij, që kryejnë vepra të mira dhe të dobishme çdoherë dhe që, me mirësinë e bujarinë e Tij, do të jenë në Xhenet!