Ç’është Imani (besimi)?

Xhibrili alejhi selam iu drejtua për së dyti Muhamedit ﷺ duke e pyetur: “Ç’është Imani?” Pejgamberi ﷺ iu përgjigj: “Iman është, ‘Të besosh Allahun (të besosh se Allahu ekziston, se Ai është Krijuesi dhe Zoti i çdo krijese, të besosh në të gjitha Cilësitë dhe Emrat e Tij të cilat Ai i ka shpallur për Veten e Tij dhe në ato që Muhamedi alejhi selam ia ka përshkruar Atij, të besosh se vetëm Ai meriton të adhurohet dhe se vetëm prej Tij vjen ndihma dhe shpëtimi); të besosh melekët e Tij (melekët janë krijesa prej drite që janë nënshtuar urdhërave të Allahut); të besosh Librat e Tij (Teuratin, Inxhilin, Zeburin dhe Kur’anin); të besosh Pejgamberët e Tij (i pari prej tyre ka qenë Nuhu dhe i fundit Muhamedi alejhi selam); të besosh Ditën e Gjykimit (të besosh në Ditën e dhënies së llogarisë, Ditën në të cilën do të llogariten veprat e njerëzve); të besosh në Kaderin e Allahut, të mirën dhe të keqen (d.m.th. të jesh i kënaqur me atë që ka caktuar Allahu)’.” (Transmeton Muslimi)