Cilat janë kushtet e shprehjes ‘La ilahe il Allah’

Dije, vëlla/motër musliman/e , Allahu na udhëzoftë, se fjala ‘la ilahe il Allah’ është çelësi i Xhenetit, mirëpo çdo çelës ka dhëmbë, kështu që nëse posedon çelës me dhëmbë mund të hapësh derën, përndryshe nuk do të mundesh. Dhëmbët e këtij çelësi janë kushtet e shprehjes ‘la ilahe il Allah’.
Këto janë:
a) Posedimi i diturisë mbi kuptimin e kësaj shprehjeje, që do të thotë të mohosh adhurimin e tjetërkujt veç Allahut dhe t’ia kushtosh këtë adhurim vetëm Allahut, Një. Allahu thotë: “Dije se nuk ka Zot tjetër veç Allahut.” (Muhamed : 19) Muhamedi alejhi selam thotë: “Kush vdes duke ditur se s’ka tjetër që meriton adhurim veç Allahut, hyn në Xhenet.” (Transmeton Muslimi.)

b) Posedimi i bindjes së plotë që do të thotë të jesh i bindur në këtë gjë me gjithë zemër duke mos dyshuar aspak. Allahu thotë: “Besimtarë janë vetëm ata që i besuan Allahut, të Dërguarit të Tij, e mandej nuk dyshuan …” (Huxhurat: 15) Muhamedi alejhi selam thotë: “Kush dëshmon se s’ka të adhururar tjetër me të drejtë veç Allahut dhe se unë jam i Dërguari i Tij si dhe e takon Allahun duke mos dyshuar aspak në Të, ai hyn në Xhenet.” (Transmeton Muslimi)

c) Pranimi i asaj që kërkon kjo shprehje me zemër dhe gjuhë. Allahu thotë:“Për arsye se kur u thuhej atyre: Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, ata e mbanin veten lartë. Dhe thoshin: “A do t’i braktisim ne zotat tanë për një poet të çmendur.” (Saffat: 35, 36)

d) Pranimi i plotë dhe nënshtrimi në atë që e shpreh kjo shprehje. Allahu thotë: “Dhe kthehuni te Zoti i juaj e përuluni Atij …” (Zumer: 54)

e) Thënia e kësaj shprehjeje me sinqeritet nga zemra. Allahu thotë: “Elif, Lamë, Mimë. A menduan njerëzit të thonë ‘ne kemi besuar’ e të mos vihen në sprovë? Ne i sprovuam ata që ishin para tyre, ashtu që Allahu gjithqysh do t’i dallojë ata që thanë të vërtetën, do t’i dallojë dhe gënjeshtarët.” (Ankebut: 1-3) “Ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër veç që ta adhuronin Allahun me dashuri të sinqertë ndaj Tij.” (Bejjine: 5) I Dërguari i Allahut ﷺ thotë: “S’ka njeri që dëshmon sinqerisht nga zemra se s’ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut dhe se unë jam i Dërguari i Tij, e Allahu të mos e bëjë harram për të hyrjen në Xhehenem.” (Mutefikun alejhi, transmeton Buhari dhe Muslimi.) Në një hadith tjetër Profeti ﷺ thotë: “Njeriu më i gëzuar me shefatin tim është ai që thotë ‘la ilahe il Allah’ nga zemra e sinqertë ose shpirti i sinqertë.” (Transmeton Buhari.)

f) Ta duam këtë shprehje të mirë dhe ata që e thonë sinqerisht atë e t’i urresh ata që i kundërvihen asaj. Allahu thotë: “E nga njerëzit ka të atillë që në vend të Allahu besojnë idhujt, që i duan ata si Allahun, por dashuria e atyre që besuan Allahun është më e fortë.” (Bekare: 165)

Muhamedi alejhi selam thotë: “Një person tek i cili gjenden tri gjëra ka gjetur ëmbëlsinë e Imanit; të jenë Allahu dhe Pejgamberi më të dashur për të se çdo gjë tjetër, ta dojë dikë vetëm për hir të Allahut dhe të urrejë të kthehet në kufër pasi Allahu e ka shpëtuar nga ai ashtu siç urren të hidhet në Zjarr.” (Mutefikun alejhi, transmeton Buhari dhe Muslimi.)