El-uela (miqësia) në Islam do të thotë të duash Allahun, Pejgamberin alejhi selam, shokët e tij, besimtarët muuehidë (që adhurojnë vetëm Allahun) si dhe t’i ndihmosh këta të fundit.
El-bera (urrejtja) në Islam do të thotë të urresh atë që kundërshton Allahun, Pejgamberin alejhi selam, shokët e tij dhe besimtarët muuehidë cilido qoftë ky.
Çdo besimtar muuehid (që adhuron vetëm Allahun) duhet dashur e ndihmuar dhe e kundërta duhet të jetë me çdokënd që adhuron dikë tjetër veç ose bashkë me Allahun dhe që lufton Islamin. Allahu thotë në Kur’an: “Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri tjetrin.” (Teube: 71) I Dërguari i Allahut alejhi selam ka thënë: “Lidhja më e fortë e Imanit është të duash për hirë të Allahut dhe të urresh për hirë të Tij.” (Albani thotë se hadithi është i mirë.) “Kush e do ndokënd për hirë të Allahut dhe e urren ndokënd për hirë të Allahut, kush jep (sadaka) për hirë të Allahut dhe kush nuk jep për hirë të Allahut, e ka plotësuar Imanin.” (Transmeton Ebu Daud, hadithi është i vërtetë.) “Ka njerëz prej robërve të Allahut që nuk janë Pejgamberë as shehidë, por të cilëve do t’ua kenë lakmi Pejgamberët dhe shehidët në Ditën e Kijametit për shkak të pozitës së tyre tek Allahu.” Thanë, “O i Dërguari i Allahut na trego kush janë ata.” I Dërguari i Allahut alejhi selam tha: “Ata janë njerëz që kanë dashur njëri tjetrin për hirë të Allahut duke mos pasur lidhje familjare ndërjmet tyre, e as për shkak të pasurisë që i japin njëri tjetrit. Pasha Allahun fytyra e tyre është dritë, ata janë në dritë, nuk frikësohen kur të tjerët frikësohen as dëshpërohen kur të tjerët dëshpërohen.” Pastaj ai lexoi këtë ajet: “Tani e keni të ditur se të dashurit e Allahut (eulijatë) nuk kanë frikë (në botën tjetër) e as kurrfarë brengosje.” (Junus: 62) (Abdul-Kadr Arnauti thotë se hadithi është i mirë.) Ibni Abbasi r.a. thotë: “Kush e do ndokënd për hirë të Allahut dhe e urren ndokënd për hirë të Allahut, e miqëson ndokënd për hirë të Allahut dhe e armiqëson ndokënd për hirë të Allahut, ky me këtë arrinë dashurinë e Allahut ndaj tij. Një person nuk mund të shijojë shijen e Imanit, edhe në qoftë se falet dhe agjëron shumë, përderisa nuk bëhet i dashuri i Allahut. Ngase sot vëllazërimi i njerëzve në përgjithësi bëhet në bazë të dynjasë (interesave të kësaj bote), e kjo nuk u bën dobi atyre.”