Teuhidi është njësimi i Allahut të Lartësuar.
Teuhidi ndahet në tri lloje:
- Teuhid er-rubũbijje
- Teuhid el-uluhijje
- Teuhid el-esmai ue’ṣ-ṣifat
Teuhid er-rubũbijje quajmë njësimin e Allahut në veprat e Tij. Prej veprave të Tij janë: krijimi, furnizimi, dhënia jetë, dhënia vdekje, zbritja e shiut, mbirja e bimëve, e pemëve etj
Teuhidi el-ulũhijje është njësimi i Allahut në veprat e robërve të Tij.Prej veprave të robërve të Tij janë: namazi, agjërimi, haxhi, mbështetja, betimi,frika, shpresa, dashuria etj.
Teuhidit el-esma’ ue’ṣ-ṣifat është përshkrimi i Allahut me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të përsosura, me të cilët e ka përshkruar Ai Vetveten dhe me të cilët e ka përshkruar i Dërguari i Tij, Muhamedi (paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të) pa i përshkruar formë dhe pa bërë shëmbëllim, shtrembërim a mohim.
Që të tri llojet e Teuhidit janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën dhe, në asnjë mënyrë, nuk mund të ndahen. Pra, nëse ndokush zbaton në veten e tij një lloj të Teuhidit por kundërshton një tjetër, ai assesi nuk mund të quhet muvahhid (jetësues iTeuhidit).
Duhet ditur se jobesimtarët të cilët i luftoi i Dërguari i Allahut, Muhammedi pranonin Teuhidin rububijje, pra besonin se Allahu është Krijuesi, Furnizuesi, Ai që jep jetë dhe vdekje, Ai prej të Cilit vjen dobia dhe dëmi, Rregulluesi i të gjitha çështjeve e kështu me radhë, mirëpo kjo nuk i bëri ata që të hyjnë në Islam. Argument për këtë është thënia e Allahut ,Thuaj: “Kush ju ushqen nga qielli dhe Toka? Kush mundëson të dëgjuarit dhe të parit? Kush mund të nxjerrë të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën nga e gjalla? Kush i drejton gjërat?” Ata do të thonë “Allahu”. E ti (o Muhamed) thuaj:“Atëherë, përse nuk e keni frikë Atë?
Teuhidi uluhijje (i adhurimit) është çështja kryesore në të cilën thirrën të dërguarit, sepse ai është baza mbi të cilën ndërtohen të gjitha veprat dhe pa të cilën nuk vlen asnjë vepër. Në qoftë se nuk jetësohet Teuhidi, atëherë ndodh e kundërta e tij, e që është shirku. Teuhidi ishte shkaku i armiqësisë ndërmjet të dërguarve dhe popujve të tyre, prandaj ne duhet të kujdesemi për të, t’i mësojmë çështjet e Teuhidit dhe t’i kuptojmë bazat e tij.
Marrë nga libri “Teuhidi i thjeshtësuar”, Abdullah El-Huvejl.