Kërkimi i bereqetit, Teberruku

Kuptimi i fjalës teberruk:

Fjala teberruk gjuhësisht domethënë shtim dhe vazhdimësi e diçkaje.

Kurse, në terminologjinë fetare teberruk domethënë: Kërkimi i bereqetit dhe shpresa në arritjen e tij.

Llojet e teberrukut:

  1. Teberruku i ligjësuar
  2. Teberruku i ndaluar

Teberruku i ligjësuar:

  1. Teberruku (kërkimi i bereqetit) nëpërmjet qenies së Pejgamberit Muhamed alejhi selam dhe nëpërmjet asaj që shkëputet nga trupi i tij. Ky lloj i teberrukut është i veçantë për kohën kur ka qenë gjallë Pejgamberi alejhi selam, pra ka qenë i lejuar vetëm në atë kohë.
  2. Kërkimi i bereqetit me fjalë dhe vepra të ligjësuara, të cilat kur i bën njeriu ka hajr dhe bereqet, siç janë leximi i Kuranit, përmendja e Allahut, prania në vende ku mësohet feja etj.
  3. Kërkimi i bereqetit në ato vende që i ka bërë Allahu të bereqetshme, siç janë xhamitë dhe vendet si Meka, Medina dhe Shami.

Me kërkim të bereqetit në këto vende kemi për qëllim bërjen e veprave të mira dhe adhurimin e Allahut në to, duke bërë vepra të ligjësuara e jo duke i prekur muret a shtyllat që gjenden në to.

  1. Kërkimi i bereqetit në kohë që i ka veçuar Allahu me vlerë dhe bereqet, sikurse që janë muaji i ramazanit, dhjetë ditët e muajit dhul-hixhxhe, Nata e Kadrit, pjesa e tretë e natës etj.

Kërkimi i bereqetit në këto kohë bëhet duke i shtuar punët e hajrit dhe duke e adhuruar Allahun me vepra të ligjësuara.

  1. Kërkimi i bereqetit nëpërmjet ushqimeve që i ka bërë Allahu të bereqetshme, siç janë vaji i ullirit, mjalti, qumështi, fara e zezë dhe uji i zemzemit.

Teberruku i ndaluar:

  1. Kërkimi i ndaluar i bereqetit nëpërmjet vendeve ose sendeve:

Shembuj:

  1. Prekja dhe fërkimi i mureve të atyre vendeve, bereqeti i të cilave është vërtetuar sheriatikisht, po ashtu edhe puthja e dritareve dhe shtyllave të atyre vendeve, si dhe kërkimi i shërimit nëpërmjet dheut të tyre.
  2. Kërkimi i bereqetit nëpërmjet varreve të njerëzve të mirë dhe tyrbeve.
  3. Kërkimi i bereqetit nëpërmjet vendeve që kanë të bëjnë me ngjarje historike, siç janë vendi i lindjes së Pejgamberit Muhamed alejhi selam, shpella “Hira”, shpella “Theur” etj.
  4. Kërkimi i bereqetit nëpërmjet kohëve:

Bërja e veprave që nuk janë të ligjësuara sipas sheriatit dhe ibadeteve të shpikura në ato kohë, bereqeti i të cilave është vërtetuar sheriatikisht.

Kërkimi i bereqetit nëpërmjet atyre kohëve, bereqeti i të cilave nuk është vërtetuar sheriatikisht:

Këtu hyjnë mevludi i Pejgamberit alejhi selam, nata e israsë dhe mi’raxhit, nata e mesit të muajit shaban dhe po ashtu ditët dhe netët e ngjarjeve historike.

  1. Kërkimi i ndaluar i bereqetit nëpërmjet qenieve të njerëzve të mirë dhe gjurmëve të tyre:

Kërkimi i bereqetit nëpërmjet qenies së ndonjë njeriu është i ndaluar. Kjo ka qenë e lejuar të bëhet vetëm me qenien e pejgamberit Muhamed alejhi selam gjatë kohës sa ishte gjallë.

Rregulla të rëndësishme lidhur me teberrukun:

  1. Teberruku (kërkimi i bereqetit) është ibadet, ndërsa ibadetet, në thelb, janë të

ndaluara, derisa të vijë ndonjë argument që dëshmon se ato janë të ligjësuara.

  1. I tërë bereqeti vjen vetëm nga Allahu, Ai është Pronari dhe Ai që e dhuron atë, për këtë arsye nuk bën të kërkohet bereqeti nga askush tjetër pos Allahut.
  2. Kërkimi i bereqetit nëpërmjet atyre gjërave, bereqeti i të cilave është vërtetuar sheriatikisht, u bën mirë vetëm besimtarëve të vërtetë në Allahun dhe në të Dërguarin (alejhi selam) e Tij.
  3. Kërkimi i bereqetit nëpërmjet atyre gjërave, bereqeti i të cilave është vërtetuar

sheriatikisht, duhet të bëhet në mënyra të ligjësuara dhe të mos shpiken mënyra që nuk i kanë bërë selefët (të parët tanë të devotshëm).