Cilat janë disa nga virtytet e mësuesit

1. Ta mësojë dikë vetëm për hir të Allahut.

2. Të edukohet moralisht me gjërat që i ka cekur sheriati, siç janë: të jetë i devotshëm dhe të mos jetë i dhënë pas dynjasë, të jetë bujar, dorëdhënës, fisnik dhe fytyrëçelur.

3. Të ruhet nga xhelozia, mendjemadhësia dhe pëlqimi i vetvetes. Të mos i nënçmojë njerëzit, edhe nëse janë në shkallë më të ulët se ai.

4. Të jetë përherë në përkujtim të Allahut të Lartësuar, qoftë vetë a në shoqëri, gjithashtu t’i kushtojë kujdes leximit të Kur’anit, namazeve nafile dhe detyrave të tjera që e afrojnë tek Allahu i Lartësuar.

5. Të jetë gjithmonë në kontakt me veprimtarinë e vet shkencore, duke lexuar, duke përsëritur, duke gjurmuar, duke bërë komente, studime dhe punime shkencore.

6. Të jetë aktiv në arsimimin e njerëzve, ngase arsimimi është bazë me të cilën forcohet feja dhe garantohet ruajtja e diturisë (shkencës). Arsimimi është prej çështjeve më elementare të fesë dhe njëkohësisht është ibadet më i çmueshëm dhe farzi kifaje më i kërkueshëm.

7. Ta edukojë nxënësin me edukatë islame në mënyrë suksesive (të shkallëzuar). Ai duhet të përpiqet ta edukojë nxënësin me virtyte të mira, të jetë i dashur ndaj tij dhe të interesohet për nevojat e tij përparimtare. Ai duhet të dëshirojë për nxënësin atë që ia dëshiron vetvetes dhe duhet të urrejë atë që urren për vete.
Mësuesi nuk duhet të jetë mendjemadh para nxënësit, por i butë dhe modest.