Rregullat e shoqërimit me shokët ose shoqet

Nga më të rëndësishmet janë:
1. Sjellja e mirë me vëllezërit dhe moshatarët, ngase vëllazëria është gjëja më e çmueshme për njeriun.
2. Muslimani duhet t’i përmirësojë të metat që sheh te shokët e tij, por së pari duke u kërkuar falje (nëse keqkuptohet). Të mos bëhet i bezdisshëm duke ua përmendur të metat që kanë prej natyre.
3. T’ua falë mangësitë vëllezërve dhe të mos i qortojë ata.
4. Të mos kundërshtohet me vëllezërit e tij dhe të pajtohet me ta aty ku lejon sheriati.
5. Të mos ketë xhelozi ndaj tyre për begatitë që Allahu xh.sh. u ka dhuruar, siç janë p.sh. pasuria a dituria. Xhelozia është një prej shtyllave të mosbesimit, ndërsa pasojat e saj janë shkatërruese. Për muslimanin është më mirë që gjithmonë të jetë i gëzuar për të mirat që kanë vëllezërit e tij.
6. Të mos i bëjë rezistencë vëllait të tij në ato çështje prej të cilave pasojnë vetëm dëme të mëdha.
7. Të ketë gjithmonë turp para tyre.
8. Të jetë përherë i drejtë me ta dhe i çiltër (i pastër) në dashurinë ndaj tyre.
9. Të jetë fytyrëçelur e jo i mërrolur kur t’i takojë ata, të jetë gojëmbël, zemërgjerë, dorëlirë dhe i qetë edhe kur pranon prej tyre fjalë të rënda.
10. Të shoqërohet sa më shumë me shokët e tij më të dijshëm ose më të mençur, më të urtë, më të devotshëm ose më të matur.
11. T’u japë këshilla kur kanë nevojë dhe t’i pranojë këshillat e tyre kur e këshillojnë.
12. Të mos zihet dhe të mos polemizojë shumë me shokët, sepse dashuria shndërrohet në urrejtje.
13. Të mos e ofendojë asnjërin prej tyre dhe të mos e shpërfillë, edhe nëse është i paditur.
14. Ta shtojë dashurinë ndaj tyre duke u dhënë selam, duke i mirëpritur në shtëpinë e tij dhe duke i thirrur me ato cilësi që janë më të dashura për ta.
15. T’i përcjellë fjalët e tyre ose t’i kuptojë në formën më të bukur dhe qëllimin më të mirë.
16. Ta mënjanojë zilinë dhe të jetë zemërgjerë me ta dhe t’ua falë gabimet ndaj tij.
17. Të jetë serioz me ta e të mos bëjë shaka vend e pa vend, sepse në atë mënyrë humb burrërinë.
18. Të mos u besojë fjalëve të përgojuesve dhe mbartësve të thashethemeve kur fyejnë vëllezërit e tij.