A lejohet betimi rrejshëm për t’i pajtuar kundërshtarët?

Bazë te besimtari është sinqeriteti (vërtetësia) dhe që të mos flasim vetëm se atë që është e saktë dhe e drejtë, për shkak të fjalës së Allahut: “O ju që besuat! Ta keni në kujdes Allahun dhe të jeni me ata të drejtit.” (Et Tevbe: 119) dhe për shkak të fjalës së Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Përmbajuni besnikërisë (sidkut) ngase, besnikëria shpien në mirësi e mirësia shpien në xhenet. Dhe një person vazhdon të jetë besnikë(në fjalë dhe vepra) dhe përkujdeset për këtë, gjersa të shkruhet tek Allahu prej të vërtetëve. Dhe keni kujdes nga gënjeshtra, ngase gënjeshtra shpien në mëkat (shthurje morale), e mëkati shpien në zjarr. Dhe njeriu vazhdon duke gënjyer dhe duke u kujdesur për këtë, gjersa të shkruhet te Allahu prej gënjeshtarëve.”

Gjithashtu pajtimi mes atyre që kanë mosmarrëveshje ka rëndësi të madhe në fe dhe për këtë pajtim janë përgatitur shpërblime të mëdha, sikurse që përballë kësaj është transmetuar kërcënimi i rreptë për prishjen të pajtuarve. Për shkak të rëndësisë së pajtimit mes atyre që kanë mosmarrëveshje në shoqërinë islame dhe për shkak të rrezikut që e përmban përçarja dhe mospajtimi, Allahu i lartësuar e ka lejuar gënjeshtrën me qëllim përmirësimi dhe me qëllim që të anulohet përçarja dhe mospajtimi, rezultati i të cilave do të ishte negativ dhe do të dëmtonte anën fetare qoftë të individit apo shoqërisë.

Ebu Derda (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “A doni t’ju tregoj për diçka që ka vlerë më shumë se agjërimi, namazi dhe lëmosha? Ata i thanë: Po. Atëherë, Ai tha: “Pajtimi mes atyre që kanë mosmarrëveshje, sepse armiqësia mes tyre është ‘el halika’ –rruajtëse.” Dhe në një transmetim tjetër nga Pejgamberi (sallAllahu alejhi ue sel-lem) thuhet: “Ajo është ‘el halika’ – rruajtëse dhe nuk them se i rruan flokët por, e rruan fenë.”

Atë që e ka nderuar Allahu i lartësuar dhe i ka dhënë sukses që të pajtojë mes myslimanëve dhe detyrohet të gënjejë me qëllim të pajtimit, ai nuk ka mëkat për këtë dhe as që lejohet të emërtohet si gënjeshtar. Ngase, ai vërtet ka gënjyer për një çështje të madhe e cila përmban në vete interesa të ligjshme fetarisht, kështu që gënjeshtra me këtë rast është lejuar. Sikurse që është transmetuar nga Umu Kulthum bint Ukbe (Allahu qoftë i kënaqur me të) se e ka dëgjuar Pejgamberin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) duke thënë: “Nuk është gënjeshtar ai që i pajton njerëzit dhe rrëfen ndonjë të mirë apo flet diçka të mirë.”

Ndërsa për dispozitën e betimit rrejshëm me qëllim të pajtimit: më afër është se lejohet.
Shejh AbdulAziz b. Baz (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Myslimani duhet që t’i pakësojë betimet edhe nëse është i sinqertë; Ngase, shpeshtimi i tyre ka mundësi ta shtyj të gënjejë e është e ditur se gënjeshtra është e ndaluar. Po nëse i bashkëngjitet edhe betimi, atëherë ndalesa bëhet edhe më e rreptë. Por, nëse detyrohet për shkak të nevojës apo interesit të ligjshëm fetarisht të betohet rrejshëm atëherë, nuk ka mëkat për shkak të hadithit të vërtetuar që e transmeton Ummu Kulthum bint Ukbe bin Muajt (Allahu qoftë i kënaqur me të) se Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë): “Nuk është gënjeshtar ai që i pajton njerëzit dhe e rrëfen ndonjë të mirë apo flet diçka të mirë.” Pastaj ajo ka thënë: Dhe nuk e kam dëgjuar duke lejuar diçka prej asaj që njerëzit e konsiderojnë gënjeshtër vetëm se në tri raste: Pajtimit mes njerëzve, luftës dhe bisedës së burrit me gruan e tij dhe bisedës së gruas me burrin e saj.”

Nëse p.sh. thotë gjatë pajtimit të njerëzve: Pasha Allahun kundërshtarët e tu e duan pajtimin dhe kanë dëshirë të bashkohen me ju dhe dëshirojnë këtë dhe atë. E pastaj iu vjen tjerëve dhe u flet fjalë të ngjashme e qëllimi i tij në tërë këtë është e mira dhe pajtimi atëherë, nuk ka mëkat për këtë për shkak të hadithit të lartpërmendur.

Kësisoj nëse e sheh një njeri i cili dëshiron ta vrasë tjetrin me të padrejtë apo dëshiron t’i bëjë padrejtësi në një mënyrë tjetër dhe i thotë atij: Pasha Allahun ai është vëllai im. Dhe këtë e bën me qëllim që ta shpëtojë nga ky zullumqar i cili dëshironte ta vriste me të padrejtë apo ta rrihte atë padrejtësisht, ngase e dinë se nëse i thotë ky është vëllai im do ta lerë atë të lirë në shenjë respekti për të. Ky me këtë rast obligohet ta bëjë këtë për shkak të interesit të shpëtimit të vëllait të tij nga padrejtësia.
Rregull e përgjithshme për betimet e rrejshme është se janë të ndaluara përveç nëse shërben që përmes tyre arrihet një interes madhor, më i madh se sa gënjeshtra sikurse që janë tri rastet e përmendura në hadithin e mëparshëm.”(Mexhmu Fetava Ibn Baz’ 1/54)
E Allahu e dinë më së miri.