Rregullat që duhet t’u përmbahet i sëmuri

1. Ai që është i sëmurë, ose e ka fëmijën të sëmurë, është i obliguar që, në vend të ankimit dhe ofshamave, të përmendë Allahun, t’i kërkojë falje (istigfar) dhe të bëjë ibadet. Muslimanët e parë, Allahu i mëshiroftë, ishin prej atyre që nuk pranonin, bile urrenin, t’u ankoheshin njerëzve, ndonëse ankimi është një lloj qetësimi për të sëmurin, mirëpo ashtu dëshmohet dobësia dhe dorëzimi, e nëse durojmë, dëshmojmë forcën dhe përballimin.

2. Lejohet për të sëmurin që t’i ankohet mjekut dhe shokut të ngushtë për sëmundjen dhe dhimbjet që ka, por nëse me këtë nuk dëshmon hidhërim dhe plogështi.

3. Ai duhet ta vërë dorën e tij në vendin e dhimbjeve e pastaj të lutet me ato lutje që kanë mbështetje në hadith. Për shembull të thotë: BISMIL-LAHI, e pastaj të thotë shtatë herë: EUDHU BI IZZETIL-LAHI VE KUDRETIHI MIN SHERR-RRI MA EXHIDU VE UHADHIR (Kërkoj mbrojtje me fuqinë e Allahut dhe mundësinë e Tij nga e keqja që më ka goditur dhe së cilës i frikësohem.) (Transmeton Muslimi)

4. Duhet t’u kërkojë falje atyre që u ka bërë të padrejtë, të shkruajë një testament, ku do t’i shënonte obligimet që i kanë njerëzit ndaj tij dhe borxhet që i ka ai ndaj tyre, dhe ta theksojë pjesën e pasurisë të cilën dëshiron ta lërë trashëgim (për të tjerët), duke mos i dëmtuar trashëgimtarët në trashëgiminë e tyre.

5. I sëmuri nuk guxon kurrsesi të përdorë hajmali ose të shkrijë plumb a të bëjë diçka që e ka ndaluar sheriati, me përjashtim të asaj që t’i fryhet me Kur’an dhe të bëhen lutje që bazohen në sheriat.

6. Të nxitojë për të bërë pendim të sinqertë, duke i plotësuar të gjitha kushtet e teubes dhe t’i rreket punës së mirë e të vyeshme.

7. I sëmuri të ketë gjykim të mirë ndaj Allahut të Lartësuar dhe t’i kthehet Atij duke ia hapur krahun e frikës dhe krahun e shpresës dhe duke bashkangjitur punën e sinqe-rtë. Kjo duhet bërë duke u bazuar në hadithin: “Mos të vdesë askush prej jush pa gjykim të shëndoshë e të mirë ndaj Allahut.” (Transmeton Muslimi)