Si të ftojmë sot në besim

1. Njohja e realitetit të sotëm njerëzor

“Thirrësi për në besim, nëse dëshiron që me thirrjen e tij të depërtojë në zemrat e njerëzve, ai duhet të njohë gjendjen e tyre, distancën që i ndan ata nga feja, njohjen e elementëve përbërës të kësaj shoqërie, si: lidhjet familjare, bashkëpunimet jetësore, ndihmën sociale, që e karakterizojnë qartë atë. Kurani Famëlartë ka dhënë argumente të qarta për këtë. Populli i Musait a.s. ishte i njohur për aplikimin e magjisë, populli i Isait a.s. shquhej për njohuri të thella në mjekësi, populli i Ibrahimit a.s. njihej për astrologji dhe adhuronte yjet dhe padyshim, zbulesat e Profetëve të mëparshëm, u drejtoheshin popujve të tyre në përshtatje me gjendjen shoqërore ku ata ndodheshin.

I Dërguari i Allahut a.s. kur e dërgoi Muadhin (r.a.) në Jemen, i tha atij: “Ti do të shkosh te njerëz qëjanë ithtarët të Librit…”

Metoda e atij që thërret për në besim në vendet islame ndryshon nga metoda e atij që dëshiron të predikojë besimin tek Allahu në vendet joislame, sepse natyra dhe tiparet e kombeve dhe popujve ndryshojnë, sikurse janë të ndryshëm individët. Kjo të çon detyrimisht në nevojën e studimit të gjendjes ekzistuese në çdo ambient, ku dëshirohet të zhvillohet thirrja islame. Ky studim e përmbush qëllimin e vet, vetëm kur të mbështetet në realitetin jetësor. Për këtë është e domosdoshme ngritja e qendrave për studimin e shoqërive, problematikave, vështirësive sociale, ekonomike, morale etj, me qëllim që nën dritën e këtyre studimeve, thirrësit islamë të ndriçohen në udhën e tyre dhe të trokasin në dyert e zemrës nga porta të sigurta.

Thirrja që i drejtohet një kombi a një populli, në një çështjet e fesë, para njohjes së aktualitetit është e mangët. Në një shoqëri industriale thirrja islame nuk i shkon përshtat të fillohet nga asketizmi, braktisja e kësaj Bote, por të lidhet me rëndësinë e prodhimit dhe ndikimin e tij në ngritjen e mirëqenies së kombeve dhe popujve; thirrja në një shoqëri bujqësore nuk kalon përmes ndihmës shëndetësore apo ngritjes së nivelit mjekësor, por përmes nxitjes për kultivimin e bimëve, për shpërblimin që ka mbjellja e kulturave të ndryshme dhe zgjerimi i numrit të varieteteve, e kështu me radhë.

Çështja ka nevojë për mendjemprehtësi dhe fleksibilitet, në mënyrë që ligjërimi me cilindo komb apo individ, të jetë sa më i lehtë, për të hyrë tek ata nëpër dyert që të çojnë drejt qëllimit. Çdo derë e mbyllur mund të hapet, nëse zotëron artizanatin e punimit të çelësave.

Aliu r.a. ka thënë: “Bisedoni me njerëzit rreth asaj që ata dinë (njohin), në të kundërt, a doni që të përgënjeshtrohet Allahu dhe i Dërguarit e Tij?!” 8Buhariu: Libri i dijes 1, 127)

Ndërsa Ibën Mesudi r.a. ka thënë: “Çdo bisedë që ti bën me njerëzit, për diçka që atyre nuk u hynë në mendje, do të shkaktojë provokime tek një pjesë”. Për këtë arsye duhet që thirrësit të njohin realitetin e çdo mjedisi për të zgjedhur metodën më të përshtatshme për thirrjen e këtyre njerëzve në besimin tek Allahu i Lartmadhëruar. Për shembull, me tregtarët është më mirë të bisedohet për Sadakanë për fukarenjtë për hir të Zotit dhe jo për të kryer ata vetë thirrjen. Me njerëzit e thjeshtë është e nevojshme të bisedohet për përparësinë e mësimit të fesë dhe shtyllat e Islamit, ndërsa me të devijuarit në sjellje duhet prekur tema si mëshira e gjerë e Zotit, shpresa për tu përfshirë në mëshirën e Tij, e kështu me radhë.

Po ashtu thirrësit islam duhet të kenë kujdes, që të mos kërkojnë prej njerëzve që në fillim t’i kryejnë gjërat maksimalisht mirë. Ata duhet të kënaqen në fillim qoftë edhe me pak, derisa zemrat e tyre ta përthithin besimin, që në mënyrë instinktive më pas të shkojnë drejt përsosjes. Nëse thirrësi islam do ti i përkushtohet kësaj detyre fisnike, atij do t’ i duhet të çelë dyert e shpresës në secilën zemër që troket dhe do ti fitojë ato. Kjo praktikë zbatohet njësoj, si për individët ashtu edhe për kombet dhe grupet etnike, gjë që vërehet edhe në ecurinë e historisë profetike. Vetë Ligjëvënësi, e ka përshkallëzuar fenë në
Umetin islam, duke ua dhënë Sheriatin (ligjin e fesë) dalëngadalë, derisa u stabilizua çështja dhe erdhi aty ku është sot. P.sh. në fillim Namazi kishte vetëm dy rekate, Agjërimi ishte vetëm ditën e Ashures, Zekati e Haxhi erdhën si detyrime pas kësaj.

2. Shkaqet e largimit nga besimi

Faktori i vetëm që e largon njerëzimin sot nga besimi, mund të përmblidhet në një Gali të shkurtër, e cila është: “Braktisja e rrugës (mësimeve) së Zotit”. Për pasojë vendin e kësaj rruge e zunë mësimet dhe teoritë e shpikura nga mendja njerëzore, të cilat u kanë sjellë shumë vuajtje e mundime atyre që i zbatuan.

Për këtë arsye, detyra që u është besuar thirrësve islam sot, është të kthejnë njerëzimin në rrugën e Zotit dhe të ftojnë në braktisjen e asaj që nuk përputhet me të. Kjo çështje ka nevojë për shqyrtim, prandaj them se braktisja e rrugës së Zotit dhe ndjekja e rrugëve të tjera, është bërë një dukuri gjithëpërfshirëse e shoqërisë njerëzore sot. Kjo dallohet qartë nëse sheh realitetin e vendeve dhe kombeve të ndryshme, por me individët nuk ndodh kështu, sepse tek ta gjen të gjithë llojet e njerëzve, disa janë besimtarë të flaktë, disa të tërhequr, e disa të tjerë të zhytur në padrejtësi me vetveten. Por, të gjithë këta individë besimtarë nuk arrijnë që besimin e tyre ta shprehin dhe ta përcjellin tek njerëzit e tjerë, mbi të cilët mund të kenë ndikim.