Ç’fitojmë nëse i trajtojmë mirë prindërit?

Çfarëdo gjëje që kam vepruar, ndiej se nuk ka patur dobi. A është më mire t’i braktis ata?

Trajtimi i prindërve është një domosdoshmëri jetike, është detyrim fetar, ndërsa mirësjellja me të tjerët e bën njeriun më të dashur, e përmirëson imazhin e tij dhe bën më të shoqërueshëm në shoqëri. Respektimi i prindërve ndikon tek njeriu në anën psikologjike, materiale dhe shoqërore, madje, ai ndikon edhe tek pasardhësit, si dhe në çdo aspekt të jetës së tij.
Nëse njeriu i trajton prindërit me respekt dhe mirësi, ai do të ndikohet nga ana psikologjike dhe do të ndiejë lumturi. Nëse njeriu kujdeset për të tjerët me pasurinë dhe veten e tij, atëherë ai do të jetë i pari që do të shpërblehet me mirësi. Për sa i përket anës materiale: Allahu i jep njeriut bereqet në furnizim dhe i shton pasurinë, për shkak të respektimit të prindërve.
Për sa i përket anës shoqërore: Respektuesi i prindërve ka sukses dhe mbarësi në jetë, i lehtësohen çështjet, fiton prestigj, bëhet i dashur në shoqëri, në familje, në farefis dhe i suksesshëm me bashkëshorten dhe
pasardhësit e tij.
Për sa i përket pasardhësve të tij: Sa prej nesh dëshirojnë që fëmija të tregohet i respektueshëm dhe i dëgjueshëm? Nëse dëshiron që fëmija të të dëgjojë dhe të të respektojë, sillu mirë ndaj prindërve të tu.

Bindja ndaj prindërve: largon shqetësimin dhe hidhërimin, lehtëson çështjet, qetëson shpirtin dhe bëhet shkak për një jetë të begatë.
Mirësjellja ndaj prindërve: bëhet shkak që njeriu të fitojë kënaqësinë e Allahut, sigurinë dhe paqen.

Në lidhje me këtë, Profeti (a.s.) na ka treguar tregimin e tre personave, të cilët u bllokuan brenda në shpellë për shkak të një shkëmbi që u rrokullis nga kodra dhe bllokoi hyrjen e saj. Kështu që, ata iu lutën Allahut me veprat e mira që kishin bërë. Midis tyre ishte një burrë që ishte shumë bamirës ndaj prindërve. Një ditë ai moli bagëtinë dhe mbushi një enë me qumësht për prindërit, por kur erdhi ata kishin fjetur, kështu që ai qëndroi në këmbë duke pritur derisa të zgjoheshin, ndërkohë që fëmijët e tij dridheshin nga uria. Kur prindërit u zgjuan, ai u dha qumësht për të pirë. Ai nuk e bëri këtë vetëm për të fituar kënaqësinë e Allahut, i Cili ia largoi shkëmbin nga hyrja.

Gjurmët e respektimit të prindërve ngelen edhe pas vdekjes së tyre, kur ata lënë një fëmijë të mirë. Omer bin Hatabi (r.a) ka thënë: ”Kam dëgjuar Profetin (a.s.) të thotë: Do t’ju vij juve Uejs bin Amir me njësitet e Jemenit nga Muradi, pastaj nga Karani. Ai ka pasur sëmundjen e lebrozes dhe është shëruar prej saj, përveçse një vendi sa një dirhem. Ai ka një nënë ndaj së cilës sillet me shumë bamirësi. Nëse i lutet Allahut për diçka, Ai ia pranon.
Prandaj, nëse mundesh, lute që ai të kërkojë falje për ty.
(Transmeton Muslimi)

Aishja (r.a.) tregon se Profeti (a.s.) ka thënë: ”Kur isha në gjumë e pashë veten në Xhenet, pastaj dëgjova zërin e një recituesi që lexonte. Thashë: ”Kush është ky? Më thanë: ”Harithe bin Nu’mani”. Pastaj, Profeti (a.s.) tha: “Kjo është bamirësia, kjo është bamirësia. Ai ishte njeriu më bamirës ndaj nënës së tij.