Nëse njëri nga bashkëshortët gjen një të metë tek tjetri, si çmenduria, lebëra (gërbulë), etj dhe nuk ka qenë në dijeni për këtë para se të bëhej akti i martesës, ka të drejtë që ta prishë këtë akt.
Nëse femra e shikon që burri i saj është impotent, e pret një vit. N.q.se ai vazhdon në atë gjendje, i lejohet që ta prishë aktin e martesës.
Nëse femra robëreshë lirohet dhe bashkëshorti i saj është akoma rob, ajo ka të drejtë që të ndahet prej saj ose të qëndrojë me të, sipas hadithit të gjatë të Aishes (radijallahu anha) në tregimin e Berires ku ndër të tjera thotë: “Kur Berirja u lirua, u la të zgjedhë për burrin e saj”. (Buhariu dhe Muslimi)
Kur akti i martesës prishet para marrëdhënieve intime, femrës nuk i takon paja. Por nëse prishja e aktit është pas marrëdhënieve, atëherë asaj i takon paja dhe burri i saj shkon dhe ia kërkon (pajën) atij që e mashtroi për këtë të metë. Paja duhet të jetë e vogël. Është pyetur Aishja (radijallahu anha): Sa ka qenë paja që ka dhënë Profeti (alejhi salatu ue selam)?
Dhe është përgjigjur: “Paja që ka dhënë për gratë e tij ka qenë 12 okë e gjysëm të cilat janë 500 derhem”. (Muslimi) Safija u lirua nga robëria dhe dhënia e lirisë ishte paja e saj. (Buhariu dhe Muslimi)
Profeti alejhi (salatu ue selam) i tha një burri: “Gjej qoftë edhe një unazë prej hekuri”. (Buhariu dhe Muslimi)
Gjithçka që ka vlerë dhe jepet me qira, vlen të jepet pajë. Nëse martohet me një femër dhe nuk i ka caktuar vlerën e pajës, asaj i takon e një pajë aq sa kanë të afërtat apo shoqet e saj.
Nëse burri e shkurorëzon bashkëshorten para se të kryejë marrëdhënie intime, i jep diçka nga pasuria e tij, sipas gjendjes financiare të burrit të saj, bazuar në thënien e Allahut: “Nuk ka gjynah mbi ju, në qoftë se i ndani gratë, kur akoma nuk i keni prekur ato (për të bërë marrëdhënie me to) dhe nuk u keni përcaktuar mehrin, por jepuni atyre (një dhuratë të përshtatshme); i pasuri sipas pasurisë së tij dhe i varfëri sipas pasurisë së tij, e një dhuratë me një vlerë të arsyeshme është detyrë për ata që bëjnë vepra të mira”. (Bekare 236)
Gruas i takon paja e plotë kur i vdes burri ose ka kryer marrëdhënie intime (dhe e ka ndarë).
Kur e ndan burri para se të krejë marrëdhënie intime dhe i ka caktuar pajën, gruas i takon gjysma e saj. Por, nëse gruaja e lë burrin, apo e ndan burri gruan për shkak të një të mete që ka, asaj nuk i takon asnjë pjesë e pajës.
Ai që ndan gruan e tij, duhet që t’i japë diçka nga pasuria e tij, si ngushëllim për të, sepse Allahu thotë: “Dhe për gratë e ndara, mbajtja me mjete jetese, të jetë në një shkallë të arsyeshme. Kjo është detyrë për të devotshmit “. (Bekare 241)