Fëmija i vogël rritet e burrërohet, ashtu si e mësoi babai

Dëgjojmë e shohim se shumë prindër mundohen me fëmijët e tyre për çështjen e namazit, por para së gjithash, këta prindër le të interesohen për veten e tyre. Nëse ata do ta kuptonin e përdornin mirë orientimin profetik në stërvitjen dhe mësimin e fëmijëve për kryerjen e namazit, fëmijët e tyre nuk do ta linin namazin apo ta kishin të vështirë ta kryenin.
Nëse do t’i mirë udhëzonin fëmijët e tyre, duke i larguar nga shoqëria dhe ambienti i keq, këta nuk do ta linin pasdore kryerjen e namazit.

Nëse babai do të ndiqte me përpikmëri dhe kujdes këtë metodë të rrallë edukuese, në të cilën na ka udhëzuar Profeti (a.s), do t’i shihnin fëmijët e tyre të nxitonin për në namaz pa hezitim. Nëse do të ndiqnim këtë orientim profetik, do t’i shihnim fëmijët tanë të na e kalonin për të shkuar në xhami për të kryer namazin.
Ndoshta do të shkonte edhe më larg, do të dëgjoje trokitjen e derës së dhomës tënde për të të zgjuar nga gjumie për të kryer namazin e mëngjesit,para se ti ta zgjosh atë.

Fëmija, sikurse filizi, patjetër që ka nevojë për ujitje, ruajtje dhe përkujdesje që të rritet e të japë frute, patjetër që ka nevojë për gardh mbrojtës që të mos e dëmtojnë shtrëngatat e furtunat, të luajnë me të duart dashakeqe apo ta shkulin vërshimet.
Ambienti që rrethon sot fëmijën është i mbushur me mjete prishëse e joshëse për të keq, e kjo kërkon më shumë kujdes,dyfishimin e përpjekjeve,vëmendje të vazhdueshme e nga ana e prindërve dhe edukatorëve para se të ikë koha dhe të vijë ora e pendimit.