Në cilat raste konsiderohet i pastër ujit të cilit i ka ndryshuar shija dhe ngjyra?

Uji të cilit i është ndryshuar shija dhe ngjyra, për shkak të ndenjes një periudhë të gjatë, apo për shkak të përzierjes me diçka tjetër të pastër, e cila është vështirë të shmanget, siç janë: brumi i cili mbetet në anët e enës, gjethet e pemëve të rëna në ujë, pak shkumë sapuni (shampo, kolinoz) etj. Po ashtu edhe uji i cili ndryshon për shkak se në të ka peshq apo të tjera gjallesa të detit.
Në të gjitha këto raste uji konsiderohet i pastër, përderisa njerëzit e quajnë ujë. Ndër argumentet që e vërtetojnë këtë përmendim:
Nga Ummu Atije (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) transmetohet se ka thënë: “Kur të Dërguarit të Allahut ﷺ i vdiq vajza e tij, ai erdhi tek ne dhe tha: ‘Lajeni tri herë, pesë herë, apo edhe më tepër se kaq, nëse e shihni të nevojshme. Lajeni me ujë dhe sidër (gjethe të bluara të një bime aromatike), ndërsa herën e fundit i shtoni dhe kefur (lloj parfumi)…’ Buhariu [1253], Muslimi [939], si dhe të tjerë përveç tyre.
Nga Ummu Heni transmetohet se i Dërguari i Allahut ﷺ është larë bashkë me bashkëshorten e tij, Mejmuneh, prej së njëjtës enë, e në të kishte pjesë brumi të mbetura. E ka transmetuar En Nesaiu në “Sahihu Suneni EnNesai” [234], Ibën Maxheh në “Sahihu Suneni Ibën Maxheh” [303] etj. Shiko gjithashtu”El Mishket” [485] dhe “El Irvau” [271]
Vërejtje! Lejohet të merret abdes prej ujit që gjendet në enë prej bakri, në enë lëkure si dhe të tjera si këto. Argument për këtë përmendim:
a) Nga Abdullah bin Zejd transmetohet se ka thënë: “Erdhi tek ne i Dërguari i Allahut ﷺ e ne i sollëm atij ujë në një enë prej bakri, me të cilën mori abdes…” Buhariu [197]. Hadith të përafërt me këtë ka transmetuar edhe EnNesaiu.
b) Nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmetohet se ka thënë: “Fjeta një natë tek shtëpia e tezes sime, Mejmunes. I Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit të falte namaz nate. Ai shkoi tek el kirbeh – lëkura me ujë -, mori abdes prej saj dhe nisi të falej. Pasi që e pashë se si veproi, u ngrita dhe shkova tek lëkura me ujë, mora abdes prej saj dhe iu bashkëngjita të Dërguarit të Allahut në krahune tij të majtë. Ai me dorën e tij të djathtë, mbas shpine, më kapi në krah dhe më tërhoqi duke më vendosur në anën e tij të djathtë.” E ka transmetuar Buhariu [6316], Muslimi [763] etj.