Sa kohë ka zgjatur ndërprerja e shpalljes Profetit Muhamed ﷺ?

Se sa ka zgjatur ndërprerja e shpalljes, është një pyetje që kërkon përgjigje. Ibni Mes’udi transmeton nga Ibni Abbasi lajmin, që shkon në favor të atyre që thonë se ndërprerja ka zgjatur ditë me radhë. Ky mendim do të ishte më i fuqishmi dhe më i sakti, pas shqyrtimit të të gjitha rrethanave rreth kësaj ngjarjeje.
Megjithatë, mendimi se ndërprerja ka zgjatur plot tre vjet ose dy vjet e gjysmë, nuk është i saktë. Është me rëndësi të dimë se Resulullahu ﷺ, në kohën e ndërprerjes së Shpalljes, ka qenë gjithnjë i mërzitur, i pikëlluar, i hutuar dhe i befasuar. Buhariu, në librin e vet El-Te’abir, na rrëfen si vijon: “Shpallja u ndërpre dhe kjo e pikëlloi Resulullahun ﷺ, si dëgjuam, me hidhërim të madh nga i cili shpërtheu helmi, që e bëri të dëshironte të gremisej nga majat e maleve. Saherë që shkonte në majë të malit me qëllim që të hidhej poshtë, i paraqitej Xhibrili, i cili thoshte: “O Muhammed, ti me të vërtetë je i Dërguari i Allahut.” Këto fjalë i jepnin përsëri fuqi dhe vullnet për jetë, e kur iu zgjat sërish periudha e ndërprerjes së Shpalljes, ai përsëri shkonte në mal, përsëri ndodhte e njëjta gjë, dhe me fjalët e Xhibrilit kthehej mbrapa i inkurajuar.”
Ibni Haxheri thotë: “Kjo ka ndodhur (ndërprerja e Shpalljes që ka zgjatur ditë me radhë) me qëllim që Resulullahu ﷺ të lirohej nga frika dhe përsëri të fitonte vetëbesim. Kur është zhdukur pavendosmëria, kur janë vërtetuar shenjat e së vërtetës dhe kur Resulullahu ka qenë i vetëdijshëm për bindjen e fuqishme se është bërë Pejgamber i Allahut të Lavdëruar dhe të Lartësuar, dhe se Xhibrili është transmetues i Shpalljes e jo ndonjë halucinacion, se ky është ai që do të mbarte Shpalljen nga qielli, vetëm atëherë, në qetësimin dhe në baraspeshimin e plotë shpirtëror, i erdhi përsëri Xhibrili, përkatësisht për të dytën herë.”Buhariu transmeton nga Xhabir b. Abdullahu, i cili ka dëgjuar Resulullahun ﷺ duke shpjeguar ndërprerjen e Shpalljes, dhe thotë: “Ndërsa shkoja (përtej malit) dëgjova një zë nga qielli. Ngrita shikimin lart dhe e pashë engjëllin, i cili më pat ardhur në Hira. Rrinte ulur në një karrige, e cila qëndronte pezull, as në qiell e as në tokë, atëherë pata frikë nga ai dhe ula shikimin në tokë. U ktheva në shtëpi dhe ashtu i frikësuar, thashë: “Më mbuloni! Më mbuloni!”, e ata më mbuluan, kurse Allahu xh.sh shpalli: “O ti i mbuluar! Ngrihu dhe tërhiqu vërejtjen (duke i thirrur)” gjer te fjala fehxhur, mandej shpallja ka ardhur rregullisht”
(Sahihu-l-Buhari: Libri El-Tefsir, II/733. )