Dallimi kryesor midis ekonomisë kapitaliste dhe asaj islame

Islami nuk i mohon forcat tregtare e as ekonominë e tregut. Madje edhe motivi i fitimit është i pranueshëm deri në kufijtë e logjikes. Nuk është e ndaluar prona private. Megjithëkëtë, dallimi kryesor midis ekonomisë kapitaliste dhe asaj islame është ai se në kapitalizmin sekular motivit të fitimit ose pronës private i jepet fuqi e pakufishme gjatë marrjes së vendimeve ekonomike. Lirinë e tyre nuk e kufizon asnjë rregull hyjnor, fetar. Nëse ekzistojnë disa kufizime, ato i kanë vënë njerëzit dhe gjithnjë janë lëndë e ndryshimeve nëpërmjet legjislacionit demokratik, i cili nuk njeh asnjë autoritet të asnjë fuqie mbinjerëzore. Një qëndrim i këtillë ka mundësuar disa lloje sjelljesh që kanë shkaktuar një mungesë baraspeshe në shoqëri.

Kamata, bixhozi dhe transaksionet (marrëveshjet, ujditë) spekulative tregojnë tendencë që pasurinë ta përqendrojnë në duart e disa personave. Eksploatohen instinktet jo të shëndosha njerëzore për të fituar paranë nëpërmjet prodhimeve amorale dhe të dëmshme. Vrapimi i shfrenuar pas profitit (fitimit) krijon monopole që i paralizojnë forcat e tregut ose, më së paku, e pamundësojnë veprimin e tyre natyror. Kështu, ekonomia kapitaliste, e cila pretendon se mbështetet në forcat e tregut, praktikisht e ndalon procesin natyror të ofertës dhe kërkesës, sepse këto fuqi në mënyrë të rregullt mund të veprojnë vetëm në një atmosferë të konkurrencës së lirë, e jo në monopole.

Ngandonjëherë edhe disa njerëz në ekonomitë kapitaliste sekulare kuptojnë se ndonjë aktivitet i caktuar ekonomik nuk është në interes të shoqërisë, por prapëseprapë i japin mundësi të ekzistojë, ngase është në interes të disa qarqeve me ndikim të cilat dominojnë në pushtetin legjislativ, falë shumicës që e kanë. Duke marrë parasysh se nuk njihet asnjë autoritet mbi pushtetin demokratik dhe se “besimi në Zotin” (që vërtetohet në secilin dollar amerikan) praktikisht është dëbuar nga fusha e jetës socio-ekonomike, nuk njihet asnjë udhëzim hyjnor (fetar) i cili do të kishte mund t’i kontrollonte aktivitetet ekonomike.

Të këqijat që lindin nga ky qëndrim nuk mund të pengohen e ndalohen asnjëherë, përveç nëse njerëzimi i nënshtrohet autoritetit hyjnor dhe urdhëresave të Tij duke i pranuar ato si të vërteta absolute dhe si urdhra mbinjerëzorë që duhen ndjekur në çdo rast dhe me çdo çmim. Kjo është pikërisht ajo që e bën Islami.

Pasi e ka njohur pronën private, motivin e fitimit dhe fuqitë e tregut, Islami ka vënë disa kufizime hyjnore mbi aktivitetet ekonomike. Këto restrikcione (kufizime), duke qenë se i ka vënë i Gjithëdijshmi dhe i Gjithëfuqishmi All-llah, nuk mund t’i eliminojë asnjë autoritet njerëzor. Ndalesa e kamatës, e bixhozit (kumarit), deponimi i rezervave për të siguruar fitime jashtë norme në rast të mungesës së
atyre artikujve, tregtimi i mallrave dhe shërbimeve të palejueshme, shitja e asaj që nuk është në pronësi dhe në disponim (short sales) dhe transaksionet spekulative janë disa nga shembujt e këtyre kufizimeve fetare. Të gjitha këto ndalesa kanë efekt kumulativ për mbajtjen e baraspeshës, krijimit të drejtësisë distributive (shpërndarëse) dhe barazisë së shanseve, rasteve.