Bindja fillestare rreth së cilës sillen të gjitha konceptet islame është se të gjithë universin e ka krijuar dhe e kontrollon Zoti Një i Vetëm. Ai e ka krijuar njeriun dhe e ka caktuar si mëkëmbës të Vetin në tokë për t’i përmbushur disa qëllime duke iu përkulur urdhëresave të Tij. Këto urdhëresa nuk janë të kufizuara vetëm në mënyrën e kryerjes së adhurimeve ose të të ashtuquajturave rituale fetare.
Përkundrazi, ato mbulojnë një fushë të gjerë thuajse të të gjitha aspekteve të jetës sonë. Këto urdhëresa nuk janë edhe aq të shumta e të hollësishme sa t’i mbyllnin në një rreth të ngushtë aktivitetet e njeriut, duke mos i lënë kurrfarë roli intelektit të njeriut, po as që janë të pakta ose të pacaktuara sa ta linin çdo sferë të jetës njerëzore në mëshirën e perceptimeve dhe tekeve njerëzore. Larg këtyre dy ekstremeve, Islami ka një qasje balancuese ndaj rregullimit të jetës njerëzore. Nga
njëra anë, ai i lë një fushë të gjerë të aktiviteteve njerëzore gjykimit personal racional të njeriut, ku ai mund të sjellë vendime në bazë të arsyes së tij, të vlerësimit të fakteve dhe të përdorueshmërisë. Nga ana tjetër, Islami, aktivitetet njerëzore i nënshtron ndaj një sërë parimesh që kanë zbatueshmëri të përhershme dhe të cilat nuk mund të thyhen në bazë të deklaratës së lehtë për dobinë e tyre të vlerësuar nga ana e mendjes njerëzore.
Fakti që qëndron pas kësaj qasjeje është se arsyeja njerëzore, përkundër aftësive të saj të jashtëzakonshme, nuk mund të pohojë se ka fuqi të pakufishme në njohjen e së vërtetës. Tek e fundit, ajo ka disa kufij pas të cilëve ajo nuk mund të sjellë përfundime të rregullta ose bëhet pre e gabimeve. Ekzistojnë mjaft fusha të jetës njerëzore ku “arsyeja” shpesh përzihet me “pasionet” dhe ku instinktet e sëmura, nën maskën e argumenteve racionale, njeriun e çojnë të marrë vendime të gabueshme dhe destruktive. Të gjitha teoritë nga e kaluara që sot konsiderohen si të gabueshme, në kohën e vet janë konsideruar “racionale” dhe është dashur të kalojnë shekuj të tërë që të zbulohet gabueshmëria e tyre dhe të vërtetohet absurditeti i tyre.
Pra, është e qartë se sfera e veprimit të cilën Krijuesi ia ka deleguar “arsyes” njerëzore nuk është e pakufizuar. Ekzistojnë fusha ku arsyeja njerëzore nuk mund të ofrojë udhëzime të drejta ose ku, më së paku, u nënshtrohet gabimeve. Në këto fusha, All-llahu i Plotfuqishëm, Krijuesi i gjithësisë, njeriut ia ka siguruar udhëzimin me anë të shpalljeve që ua ka dërguar pejgamberëve të Tij. Në bazë të kësaj qasjeje, secili musliman beson fort se urdhëresat e ardhura me shpalljen dërguar Pejgamberit të fundit, paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të, duhen ndjekur edhe formalisht edhe shpirtërisht dhe se nuk mund të braktisen ose të thyhen në bazë të argumenteve racionale ose të dëshirave të brendshme të dikujt.
Sipas kësaj, të gjitha aktet njerëzore duhet t’u nënshtrohen këtyre urdhëresave dhe duhet të ushtrohen brenda kornizave që ato i përcaktojnë. Për dallim prej feve të tjera, Islami nuk kufizohet vetëm në mësimet morale, në disa rituale ose ceremoni. Ai përmban udhëzime për secilën sferë të jetës njerëzore, përfshirë edhe atë socioekonomike. Krijesat e All-llahut janë të detyruara t’i nënshtrohen Krijuesit të tyre jo vetëm duke i kryer lutjet, por edhe në të gjitha aktivitetet ekonomike, qofshin këto edhe kundër disa dobive të rreme, sepse ato dobi të rreme mund të jenë kundër interesave të shoqërisë si tërësi.