Koncepti i Musharakesë

Musharakeja është një term që shpesh përdoret në kontekst të mënyrave islame të financimit. Konotacioni i këtij termi është paksa më i kufizuar se termi Shirkeh, i cili rëndom është përdorur në të drejtën islame. Për të pasur për qëllim qartësimin e koncepteve bazë, e shohim të rrugës që në fillim t’i shpjegojmë kuptimet e secilit term veç e veç.

Fjala shirkeh (شرآةѧال)do të thotë “pjesëmarrje/ndarje” dhe në terminologjinë
e Fikhut islam, ajo ndahet në dy lloje:

1) Shirketu’l-milk (كѧالمل رآةѧش) do të thotë ‘bashkëpronësi’ e dy a më shumë personave mbi një pronë të caktuar. Ky lloj shirketi mund të lindë në dy mënyra të ndryshme: ndonjëherë ajo formohet në bazë të zgjedhjes së palëve. Për shembull, nëse dy a më shumë persona blejnë një pajisje, ajo do të jetë pronë e përbashkët e të dyja palëve dhe relacioni midis tyre sa i përket kësaj prone quhet shirketu’l-milk.

Këtu ky relacion ka lindur si rezultat i zgjedhjes së tyre, ngase ata vetë kanë vendosur ta blejnë bashkërisht atë pajisje.

Mirëpo, ka raste kur ky lloj shirketi lind në mënyrë automatike pa ndonjë veprim të ndërmarrë nga palët. Për shembull, pas vdekjes së një personi, të gjithë pasardhësit e tij e trashëgojnë pasurinë e tij, e cila bëhet pronë e përbashkët e tyre si pasojë automatike e vdekjes së atij personi.

2) Shirketu’l-‘akd (دѧالعق رآةѧش) ky është lloji i dytë i shirketit që nënkupton “një ortakëri të bazuar në një kontratë të ndërsjellë”. Me qëllim shkurtësie mund të përkthehet edhe si “ndërmarrje e përbashkët komerciale”.

Shirketu’l-akdi më tej ndahet në tri nënlloje:

i) Shirketu’l-emval (والѧالام رآةѧش), ku të gjithë ortakët investojnë kapital në një ndërmarrje komerciale.

ii) Shirketu’l-a’mal ( الѧالاعم رآةѧش), ku të gjithë ortakët bashkërisht vendosin të ofrojnë disa shërbime për shfrytëzuesit e tyre dhe ku çmimi i fituar nga këto shërbime shpërndahet ndër ortakët sipas një përqindjeje të marrë vesh më parë. Për shembull, nëse dy persona merren vesh që të nisin bashkërisht shërbime rrobaqepësie për shfrytëzuesit e tyre me kusht që fitimet e realizuara në këtë mënyrë të derdhen në një fond të përbashkët i cili më vonë do të ndahet midis tyre pa marrë parasysh shumën e punës që e ka kryer aktualisht secili prej tyre, ky lloj ortakërie do të ishte një shirketu’l-a’mal, që ndryshe quhet edhe shirketu’t-tekabbul ose shirketu’s-sana’i ose shirketu’l-ebdan.

iii) Nënlloji i tretë i shirketu’l-akdit është Shirketu’l-vuxhuh (وهѧالوج رآةѧش). Këtu ortakët nuk investojnë asgjë. Krejt atë që këtu e bëjnë ortakët është të blejnë mallra me pagesë të shtyrë e t’i shesin të njëjtat me para në dorë. Fitimi i realizuar në këtë mënyrë ndahet ndërmjet tyre në përqindje sipas marrëveshjes.

Të gjitha këto forma të “pjesëmarrjes/ndarjes” ose ortakërisë titullohen si shirkeh në terminologjinë e Fikhut islam, ndërsa termi musharake nuk haset në librat e fikhut. Ky term (pra musharakeja) tani vonë ka filluar të përdoret nga ana e atyre që kanë shkruar lidhur me temën e formave islame të financimit dhe normalisht është i kufizuar në një lloj të veçantë të shirketit, respektivisht, të shirketu’l-emvalit, ku dy ose më shumë persona investojnë nga një sasi të kapitalit të tyre në një ndërmarrje të përbashkët komerciale. Megjithëkëtë, ngandonjëherë kjo e përfshinë edhe shirketu’l-a’malin, ku ortakëria zhvillohet në biznesin e shërbimeve.

Nga ky diskutim bëhet e qartë se termi shirkeh ka një kuptim më të gjerë sesa termi musharake ashtu siç përdoret sot. Ky i fundit është i kufizuar vetëm në shirketu’l-emvalin, kurse i pari i përfshinë të gjitha llojet e bashkëpronësisë dhe të ortakërisë. Tabela 1 tregon llojet e ndryshme të shirketit dhe dy llojet që quhen musharake në terminologjinë moderne.

Duke qenë se musharakeja është më relevante për qëllimin e diskutimit tonë dhe se është thuajse analoge me shirketu’l-emvalin, në postimet e tjera të kësaj serie do të merremi me të, duke sqaruar në radhë të parë konceptin tradicional të këtij lloji shirketi, e pastaj do t’i kushtojmë edhe pak kujdes zbatimit të saj në konceptin e financimit në kontekstin modern.

Koncepti i Musharakesë