Cila është rëndësia e teuhidit

1. Teuhidi shtylla më madhështore islame
Teuhidi është shtylla kryesore e Islamit dhe njeriu nuk mund të hyjë në fenë islame pa e dëshmuar atë, gjegjësisht pa ia kushtuar tërë adhurimin vetëm Allahut dhe askujt tjetër.

I Dërguari i Allahut, Muhamedi alejhi selam ka thënë: “Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla: Dëshmia se askush dhe asgjë përveç Allahut nuk meriton të adhurohet dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij, pastaj falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i ramazanit dhe kryerja e haxhit.”(Muttefekun alejhi)

2. Teuhidi gjëja më e rëndësishme dhe obligimi i parë
Për shkak të rëndësisë së tij, Teuhidit duhet t’i jepet përparësi ndaj të gjitha çështjeve tjera të rëndësishme.
Teuhidi është çështja e parë në të cilën duhet ftuar njerëzit, siç i tha i Dërguari i Allahut, Muhamedi alejhi selam Muadhit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, kur e dërgoi për në Jemen: “Ti po shkon te një popull që janë ithtarë të librit, prandaj le të jetë gjëja e parë në të cilën do t’i thërrasësh dëshmia se askush dhe asgjë përveç Allahut nuk meriton të adhurohet”, ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: “që ta njësojnë Allahun në adhurim” (Muttefekun alejhi.)

3. Pa Teuhid nuk pranohen ibadetet
Teuhidi është kusht për vlefshmërinë e ibadeteve dhe bazë për pranimin e tyre. Ibadetet nuk mund të quhen ibadete pa Teuhid, sikundërqë namazi nuk mund të quhet namaz pa pasur abdes. Pra, shirku, që është e kundërta e Teuhidit, shkatërron çdo ibadet që e shoqëron ai, sikurse hadethi që e prish abdesin. Ibadeti që bëhet pa Teuhid shndërrohet në shirk, i cili i shkatërron të gjitha veprat, madje atë që bie në shirk e bën prej banorëve të përhershëm të zjarrit të Xhehenemit.

4. Teuhidi shkak për siguri dhe udhëzim në këtë dhe në botën tjetër
Argument për këtë është fjala e Allahut:[Kuran a=”6-El-Enam:82″]Fjala padrejtësia që përmendet në këtë ajet nënkupton shirkun, siç na e ka sqaruar këtë i Dërguari i Allahut, Muhamedi alejhi selam.

Ibën Kethiri, në komentimin e këtij ajeti, thotë: “Domethënë ata që ia kushtojnë tërë adhurimin vetëm Allahut, i Cili është i Vetëm dhe s’ka rival, duke mos i shoqëruar Atij asgjë në adhurim do të jenë të sigurt në Ditën e Kijametit dhe të udhëzuar në dunja dhe në ahiret. Ai që e jetëson Teuhidin në mënyrë të plotë do të ketë siguri dhe udhëzim të plotë dhe do të hyjë në Xhenet pa u ndëshkuar.”
Shirku është padrejtësia më e madhe, kurse Teuhidi është kulmi i drejtësisë.

5. Teuhidi shkak për të hyrë në Xhenet dhe për të shpëtuar nga Zjarri
I Dërguari i Allahut, Muhamedi alejhi selam ka thënë: “Kush dëshmon se askush dhe asgjë përveç Allahut nuk meriton të adhurohet, i Cili është i Vetëm, pa rival dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij, dhe njëherazi dëshmon se Isai është robi i Allahut dhe i Dërguari i Tij, se është fjala e Allahut që ia dërgoi Merjemes dhe një prej shpirtrave që i krijoi Ai dhe dëshmon gjithashtu se Xheneti është i vërtetë dhe se Xhehenemi është i vërtetë do ta fusë Allahu në Xhenet me aq vepra që ai i ka bërë.” (Muttefekun alejhi)
I Dërguari i Allahut alejhi selam po ashtu ka thënë: “Allahu ia ka ndaluar Zjarrit ta djegë atë që thotë “la ilahe il-lallah” duke kërkuar kënaqësinë e Allahut.” (Muttefekun alejhi)

6. Teuhidi shpëtim nga brengat e dunjasë dhe të ahiretit
Ibën Kajjimi ka thënë: “Teuhidi është strehimi i miqve dhe armiqve të vet”.
a. Është strehim për armiqtë e vet, sepse i shpëton ata nga brengat dhe vështirësitë e kësaj dunjaje, siç thotë Allahu në Kuran:[Kuran a=”29-El-Ankebut:65″]

b. Ndërsa miqtë e vet i shpëton nga brengat dhe vështirësitë e kësaj bote dhe të botës së amshueshme. Ky është ligj i Allahut për robërit e Tij. Asgjë nuk i largon vështirësitë e dunjasë sikurse Teuhidi, për këtë arsye duaja e vështirësisë është e lidhur drejtpërdrejt me Teuhid dhe po ashtu duaja e Junusit alejhi selam me të cilën kushdo që lutet kur gjendet në vështirësi Allahu do t’ia largojë vështirësinë.

Asgjë nuk e çon njeriun në vështirësi të mëdha përveç shirkut dhe asgjë nuk e shpëton atë nga to përveç Teuhidit, ngase Teuhidi është strehim, mburojë dhe shpëtim për të gjitha krijesat.

7. Teuhidi urtësia e krijimit të njerëzve dhe xhinëve
Allahu i Madhërishëm thotë:

Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.“(Suretu edh-dharijat, 56)
Domethënë: i kam krijuar për të Më njësuar (veçuar) në adhurim.

Dërgimi i pejgamberëve, zbritja e librave, hartimi i kushtetutave dhe krijimi i krijesave, të gjitha këto i bëri Allahu vetëm që të adhurohet vetëm Ai dhe askush tjetër.
Marrë nga libri “Teuhidi i thjeshtësuar”