Ndërtimi i xhamisë së Profetit alejhi selam në Medinen e Ndritur

Pasi i Dërguari i Allahut ﷺ u vendos në Medinen e Ndritur, nisi të bashkërendonte punët e fesë dhe të dynjasë, duke vazhduar edhe thirrjen në Islam. Hapi i parë që ndërmori i Dërguari i Allahut ﷺ në këtë rrugë, ishte ndërtimi i xhamisë së tij.

Për këtë, bleu ngastrën, ku deveja e tij pati rënë në gjunjë, kur sapo kishte mberritur në Medine. Ngastra ishte pronë e dy jetimëve. Toka ishte afërsisht njëqind kutë e gjerë dhe njëqind kutë e gjatë. Aty ndodheshin varret e idhujtarëve. Kishte gropa, hurma dhe një lloj akacieje. U hoqën varret, u sheshuan gropat dhe u prenë hurmat e pemët dhe filloi ndërtimi i xhamisë.

Themelet ishin afërsisht tre kutë të gjerë. Mbi to u ngritën muret me qerpiç dhe baltë. Dy shtyllat e portës u ndërtuan me gurë, tavani me lëkurë palme. Kolonat e xhamisë u bënë me dru palme. Toka u shtrua me rërë. Xhamia u bë me tri porta. Kibla shihte në veri, në drejtim të Shtëpisë së Shenjtë. I Dërguari i Allahut ﷺ punonte vetë, mbante gurë dhe tulla bashkë me muhaxhirët dhe ensarët, madje ua shtonte vrullin, kur bënte ndonjë shaka e fliste me ta.

Në anë të xhamisë, Profeti ﷺ ndërtoi dy dhoma me tulla. Tavanin e bënë me lëkura palmash dhe me dru hurme. Njëra dhomë ishte për Seuden, bijën e Zum’as, tjetra për Aishen, bijën e Ebu Bekrit. Pasi në atë kohë, Profeti ﷺ ishte i martuar vetë me këto të dyja. Ai u martua me Aishen (r.a.), pasi erdhi në Medine, në muajin Sheual, vitin e parë të Hixhretit.