A mjafton puna apo vepra jonë për të na futur në Xhenet

Të fitosh xhenetin nuk është diçka e parealizueshme. Atë mund ta fitosh me dy rekate namaz, të cilat i kryen me përkushtim dhe sinqeritet. Atë mund ta fitosh me lutjet dhe pendimin e një nate, në të cilën Zoti ta shkruan emrin tek banorët e xhenetit. Atë mund ta fitosh me një sadaka sado modeste që ia ke dhënë dikujt etj.
Por duhet theksuar fakti se njeriu hyn në Xhenet me mëshirën e Allahut të Lartësuar dhe jo me punën e tij, edhe pse puna konsiderohet shkak për të hyrë në Xhenet.
Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar e ka marrë në konsideratë futjen në Xhenet nëpërmjet punëve, duke thënë në Kuran: “…me atë që punuat…”, ndërsa i Dërguari i Allahut ﷺ e ka mohuar hyrjen në Xhenet nëpërmjet punëve, duke thënë: ” Askush prej jush nuk futet në Xhenet me punën e tij”.
Dikush mund të thotë se në këto dy citime ka mospërputhje, por nuk është kështu për dy arsye:
1. E para për arsye të asaj që ka përmendur Sufjani dhe të tjerë. Për këtë kanë thënë se shpëtimi prej zjarrit arrihet me faljen e Allahut; hyrja në Xhenet arrihet me mëshirën e Tij, kurse ndarja e vendeve dhe pozita në Xhenet realizohet sipas punëve të secilit. Një fakt të tillë e mbështet hadithi i transmetuar nga Ebu Hurejra që transmeton nga Profeti ﷺ të ketë thënë se banorët e Xhenetit kur të futen atje, do të zënë vendet e tyre sipas vlerës së punëve të bëra.
2. Parafjala “me” e përdorur në hadithin e hyrjes në Xhenet, ashtu sic është përdorur në fjali edhe në gjuhën arabe, ka kuptimin e barazvlerës midis dy gjërave. Pra , kur dy gjëra vihen përballë njëra-tjetrës dhe njëra është e njejtë si tjetra.
Në këtë pikë kuptimi i hadithit është i drejtë dhe nuk është në kundërshti me parafjalën “me” të përdorur në ajetin kuranor, ku ajo pohon hyrjen në xhenet nëpërmjet të punëve të njeriut. Pra, në ajetin kuranor ajo tregon për shkakun e këtij rezultati, edhe pse punët e njeriut nuk kanë qënë ato që sollën në mënyrë të drejtpërdrejtë këtë rezultat.
I Dërguari i Allahut ﷺ i ka sqaruar këto dy shkaqe duke thënë në një hadith: ” Qendroni, afrohuni (pranë njëri-tjetrit) dhe përgëzohuni. Dijeni se askush prej jush nuk do të shpëtojë me punën e tij”. Të pranishmit thanë: ” As ti, o i Dërguari i Allahut ﷺ”? Profeti u përgjigj: ” As unë, vetëm nëse Allahu më mbulon me mëshirën e Tij”.
Ai që e njeh mirë Allahun e Lartësuar dhe detyrimet që ka ndaj Tij, që njeh mangësitë dhe gjynahet e vetvetes, duke parë këto dy dobësi të tij me zemrën, do të mësojë që ajo që u përmend më lartë është shumë e vërtetë.
Lusim Allahun e Lartësuar të na përfshijë në mëshirën e Tij të pafundme, e të na bëjë prej banorëve të Xhenetit!Amin