Kurani, i paimitueshëm, unik dhe i mbrojtur prej tjetërsimeve nga vetë Zoti

Kurani është Fjala e Zotit e transmetuar Profetit të fundit Muhamed ﷺ, me ndërmjetësinë e engjëllit Xhebrail (Gabriel) me kuptim dhe me fjalë të përcaktuara mirë. Kjo Fjalë na është transmetuar nga persona të shumtë, qoftë gojarisht, qoftë dhe me shkrim(teuâtur), çka e bën atë (Kuranin) autentik në mënyrë të padiskutueshme.
Në këtë kuptim, Kurani konsiderohet fare i paimitueshëm, unik dhe i mbrojtur prej tjetërsimeve nga vetë Zoti. Fjala arabe Kur’ân rrjedh nga rrënja verbale kara’a, dhe ka kuptimin lexim ose recitim. Ashtu si është përdorur në Kuran, ky term i referohet Shpalljes Hyjnore në kuptimin e gjerë të fjalës dhe nuk i ngushtohet aspak kuptimi në nocionin e shkruar dhe as në Librin, ashtu si e njohim ne sot.
Shpallja Hyjnore që i është transmetuar Profetit Muhamed ﷺ  është përcaktuar në Kuran, sa me anë të termit Kur’ân (recitim), aq dhe me anë termash të tjera, të cilat janë: Furkán (dallues) (25/1); Tenzíl (zbritje nga lart) (26/192); Dhikr (përmendje me emër, këshillë,kumt) (15/9); Kitâb (libër) (21/10); dhe akoma, Nûr(dritë); Hudâ (udhërrëfyes), Rahmah (mëshirë), Beshîr(njoftues, paralajmërues) etj.
S’do mend se secili nga këta terma pasqyron njërin nga aspektet e fjalës së shpallur të Zotit. Fjala El Kur’án është shpallja që i është zbritur Profetit Muhamed (a.s.) dhe vetëm atij, ndërsa shpalljet që u janë dërguar profetëve të tjerë mbajnë emra të tjerë, si suhuf (rulat prej pergameni dërguar profetit Ibrahim), (Psalmet e profetit Daut), Teurát (Libri i shenjtë i dërguar profetit Musa), si dhe Inxhîl (Ungjilli i dërguar profetit Isa).