Leximi i Kuranit për t’u shpërblyer

Sa i përket shpërblimit për leximin e Kuranit, kanë ardhur argumente të shumta, ku po i përmendim vetëm disa prej tyre si rikujtim të kësaj çështjeje të rëndësishme: Abdullah ibn Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të!, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të!, ka thënë: “Ai që e lexon një harf (shkronjë) nga Libri i Allahut (Kurani), do të ketë shpërblim. Madje, shpërblimi do t’i dhjetëfishohet. Nuk po them që Elif lam mim-i është(vetëm) një harf, porse elifi është një harf, lami gjithashtu dhe mimi harf më vete.” (Tirmidhiu, që thotë se hadithi është hasen sahih.)

Zejd ibn Erkam, Allahu qoftë i kënaqur me të!,përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të!, ka thënë: “Mes jush po lë dy gjëra me peshë. Njërën prej tyre Librin e Allahut, që është litari i Allahut. Ai që e pason, do të jetë i udhëzuar, kurse ai që e braktis, do të mbetet në humbje.” ( Sahih Muslim,4/1873, 2408)

Ebu Seid el Huderiu, Allahu qoftë i kënaqur me të!, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!, ka thënë: “Libri i Allahut është litari i Allahut i zgjatur nga qielli deri në tokë.” ( 57Sunen et Tirmidhi, 5/663, 3788).

Transmetohet nga Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të!, se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të!, të vrarët në Luftën e Uhudit i grumbullonte në një qefin. Pastaj pyeste cili dinte më shumë Kuran. Nëse i thuhej për ndonjërin, e vendoste para tjetrit në varr.” (Sahihul Buhari, 1/450; Sunen Ebi Davud, 3/196, 3138; Sunen et Tirmidhi, 3/354, 1036; Tirmidhiu thotë se është hasen sahih. Albani e cilëson si të saktë.)

Aishja, kënaqësia e Allahut qoftë mbi të!, përcjell se i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të!, ka thënë: “Ai që e lexon Kuranin bukur, do të jetë në shoqëri të shkruesve (engjëjve) të ndershëm. Ndërkaq, ai që e lexon me vështirësi, do të ketë shpërblim të dyfishuar.“(Sahihul Buhari, 4/1882, 4653)
Othmani, Allahu qoftë i kënaqur me të!, transmeton se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja Allahut qofshin mbi të!, ka thënë: “Më i miri prej jush është ai që e mëson Kuranin e pastaj ua mëson të tjerëve.“( Sahih Buhari)

Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur me të!, transmeton se i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të!, ka thënë: “Mësojeni Kuranin! Lexojeni e pastaj mësojani edhe të tjerëve! Rasti i atij që e ka mësuar dhe e lexon Kuranin i shëmbëllen thesit të mbushur me aromë të këndshme (misk), që përhapet në çdo anë. Ndërkaq, rasti i atij që e ka mësuar Kuranin, mirëpo nuk e lexon, i shëmbëllen thesit të mbyllur me erë të këndshme (misk).“(Sunen et Tirmidhi)

Ebu Umamete, Allahu qoftë i kënaqur me të!, transmeton se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!, ka thënë: “Lexojeni Kuranin, se ai do të vijë në Ditën e Gjykimit e do të ndërmjetësojë për lexuesit e vet.“(Sahih Muslim, 1/552, 804; Musned imam Ahmed, 5/249, 22200.)

Abdullah ibn Amri,Allahu qoftë i kënaqur me të!, thotë se i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të!, ka thënë: “Agjërimi dhe Kurani do të ndërmjetësojnë për robin në Ditën e Gjykimit. Kështu, agjërimi do të thotë: “O Zoti im! Unë e kam privuar atë nga ushqimi dhe epshet (gjatë ditës), ndaj më lejo të ndërmjetësoj për të. Ndërkaq, Kurani do të thotë: “Unë e kam privuar nga gjumi i natës, ndaj më lejo të ndërmjetësoj për të. Atëherë u jepet leja për të ndërmjetësuar.”(Musned Ahmed ibn Hanbel).

Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të!, thotë se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!, ka thënë: “Kurani o do të jetë ndërmjetësues për ty (me lejen e Allahut), o do të jetë një kundërshtar i vërtetë. Atë që vepron sipas tij, do ta çojë në Xhenet. Ndërkaq, atë që e lë pas shpine, do ta çojë në Zjarr.“(Sahih Ibn Hiban).

Nevas ibn Semani, Allahu qoftë i kënaqur me të!, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të!, ka thënë: “Ditën e Gjykimit do të vijë Kurani dhe të zotët e tij, që vepronin sipas tij në këtë botë, të cilëve u prijnë suret El Bekare dhe Ali Imran.“(65Sahih Muslim, 1/554, 805; Sunen et Tirmidhi, 5/160, 2883.)

Abdullah ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të!, transmeton se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!, ka thënë: “Ai, në gjoksin e të cilit nuk ka asgjë nga Kurani (nuk di asgjë përmendsh nga Kurani), është sikurse shtëpia e braktisur dhe e rrënuar.” Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të!, thotë: “Profeti juaj, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Me të vërtetë, Allahu i Madhërishëm me këtë Libër (Kuranin) i ngre disa popuj e i nënçmon disa të tjerë.“(Sahih Muslim).

Ebu Musa el Eshariu, kënaqësia e Allahut qoftë mbi të!, tregon se i Dërguari ka thënë: “Rasti i besimtarit që e lexon Kuranin i shëmbëllen qitros: ka aromë të këndshme dhe shije të mirë; rasti i besimtarit që nuk e lexon Kuranin i shëmbëllen hurmës: nuk ka aromë, por shijen e ka të ëmbël; rasti i munafikut (dyfytyrëshit) që e lexon Kuranin i shëmbëllen borzilokut: ka aromë të mirë, kurse shijen e ka të hidhur; ndërsa dyfytyrëshi që nuk e lexon Kuranin i shëmbëllen kungullit të egër: (jo që) nuk ka aromë, por edhe shijen e ka të hidhët.”(Sahihul Buhari, 5/2070, 5111; Sahih Muslim, 1/549, 797)

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të!, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!, ka thënë: “Sa herë që ndonjë grup njerëzish mblidhen në ndonjërën prej shtëpive të Allahut për ta lexuar Librin e Tij dhe për ta studiuar bashkë, mes tyre do të zbresë qetësia, do t’i përfshijë mëshira, do t’i rrethojnë engjëjt dhe Allahu do t’i përmendë tek ata që janë me Të (engjëjt).” Abdullah ibn Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të!, transmeton se i Dërguari i Allahut, ka thënë: “Ai që dëshiron që Allahu dhe i Dërguari i Tij ta duan, le ta lexojë mus’hafin.

Abdullah ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të!, thotë: “Po qe se bartësit e Kuranit ta merrnin atë siç i takon dhe si duhet, Allahu do t’i donte ata, mirëpo ata përmes tij e kërkuan këtë botë, ndaj Allahu i urren dhe janë të përulur para njerëzve.”

Abdullah ibn Mesudi, kënaqësia e Allahut qoftë mbi të!, thotë: “Kurani është gosti e Allahut, ndaj merrni prej saj sa të keni mundësi. Nuk di ndonjë mirësi më të zbrazët sesa një shtëpi në të cilën nuk ka asgjë nga Kurani. Zemra, në të cilën nuk ka asgjë nga Libri i Allahut (Kurani), është e rrënuar siç rrënohet shtëpia që nuk ka banues.” Gjithashtu thotë: “Me të vërtetë zemrat janë enë, ndaj mbushini me Kuran e jo me diçka tjetër.”(Musanaf Ibn Ebi Shejbe, 6/126, 30011)

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të!, thotë: “Në shtëpinë që lexohet Libri i Allahut (Kurani) shtohet mirësia, prezantojnë engjëjt dhe dalin shejtanët prej saj, kurse shtëpia, në të cilën nuk lexohet Libri i Allahut, u ngushtohet banorëve të saj, pakësohen mirësitë, prezantojnë shejtanët dhe dalin engjëjt prej saj.”(Ez Zuhd, Ibn Mubarek, 1/273, 790)