Gruaja ka të drejtë pasurie

Allahu thotë në Kuran: “Meshkujve ju takon pjesë nga pasuria që e lënë prindërit e të afërmit (pas vdekjes), edhe femrave ju takon pjesë nga ajo që lënë prindërit e të afërmit, le të jetë pak ose shumë ajo që lënë, ju takon pjesë e caktuar (nga Zoti).” (En-Nisa,7)
Dhe thotë: “All-llahu ju urdhëron për (çështjen e trashëgimit) fëmijët tuaj: për mashkullin hise sa për dy femra; nëse janë (trashëgimtare) vetëm femra, dy e më shumë, atyre ju takojnë dy të tretat e pasurisë që trashëgohet; nëse është një femër, asaj i takon gjysma; për prindërit, për secilin nga ata, ju takon e gjashta nga ajo që ka lënë (i vdekuri) nëse ka fëmijë; e në qoftë se (i vdekuri) nuk ka fëmijë e atë e trashëgojnë (vetëm) prindërit, atëherë nënës së tij i takon një e treta; në qoftë se ai (i vdekuri) ka vëllezër, nënës së tij i takon vetëm një e gjashta, (kjo e drejtë në trashëgim bëhet) pasi të kryhet testamenti (vasijeti) që ka lënë dhe pasi të lahet borxhi; ju nuk dini se kush është më afër dobisë suaj, prindërit tuaj ose fëmijët tuaj. (Ky përcaktim është) Urdhër nga All-llahu. Vërtet All-llahu është më i Dijshmi, më i Urti.” (En-Nisa,11)
Dhe thotë: ” O ju që besuat, nuk është lejuar për ju të trashëgoni gratë (e të vdekurve) në mënyrë të dhunshme, e as t’i shtrëngoni për t’u marrë diçka nga ajo që ju keni dhënë atyre, përveç nëse ato bëjnë ndonjë imoralitet të hapur. Çoni jetë të mirë me to. Nëse i urreni ato, bëni durim pse ndodh që All-llahu të japë shumë të mira në një send që ju e urreni.” ( En-Nisa, 19)
“Ata kërkojnë nga ti (Muhamed) gjakim (Për dikë që vdes pa pasur trashëgimtarë). Thuaju: “Allahu ju udhëzon juve për një njeri të tillë. Nëse vdes një njeri që nuk ka fëmijë, por ka motër, atëherë asaj (motrës) i takon gjysma e pasurisë së lënë. Ai (vëllau) trashëgon tërë atë (që le motra) nëse ajo nuk ka fëmijë. Në qoftë se ato janë dy (motra që trashëgojnë), atyre dyjave u takojnë dy të tretat që lë ai, vëllai. Në qoftë se janë vëllezër dhe të përzier burra dhe gra, atëherë mashkullit i takon hise dy fish më shumë se sa femrës. Allahu ju sqaron juve, në mënyrë që të mos humbisni. All-llahu është i Dijshëm për cdo gjë”. (EN -Nisa, 176)
Dhe thotë: “Mos lakmoni në atë, që All-llahu gradoi disa nga ju mbi disa të tjerë. Burrave ju takon hise nga ajo që fituan ata dhe grave gjithashtu ju takon hise nga ajo që fituan ato. All-llahut kërkoni nga të mirat e Tij. Vertet Allahu është i Dijshëm për cdo gjë.” (En-Nisa,32)
Gruaja ka të drejtë fitimi dhe të drejtë trashëgimie. Njerëzit në kohën paraislamike nuk i bënin pjesë trashëgimie femrat dhe as të dobtit prej djemve(fëmijëve) dhe nuk i jepnin pjesë nga rashëgimia, vetëm se atyre që kishin mundësi të përballeshin me luftën. Kur vdiq Abdurrahman ebu Hasan, i cili ishte poet, la pas gruan dhe pesë vajzat e tij. Erdhën trashëgimtarët e tjerë dhe iua morën pasurinë e lënë, gruaja e tij shkoi tek Profeti alejhi selam dhe iu ankua, ndërkohë Allahu i Lartësuar zbriti ajetet: ” Nëse trashëgimtarë janë dy e më tepër femra , atyre u takojnë dy të tretat nga trashëgimia”. (En-Nisa, 11)
Nëse dikush prej jush vdes dhe lë pas vetes fëmijë djem dhe vajza, djemtë dhe vajzat e tij kanë të drejtë trashëgimie. Djemve u takon sa dyfishi i vajzave, nëse nuk ka trashëgimtar tjetër vec tyre, pa pasur dallim mes të vegjëlve dhe të medhenjve. Po ashtu gruaja ka të drejtën e trashëgimisë nësë është nënë, nënës i takon një e gjashta, si babait hde nënës i takon të dyve një e gjashta dhe këtu ajo është e barabartë me babanë. Nëse femra është vetëm një vajzë asaj i takon gjysma. Por nëse ato janë më shumë se dy vajza , atëherë ju takojnë dy të tretat. Kështu ajo është e barabartë me mashkullin, ose mund ti takojë dicka më tepër.
Për këtë arsye, Allahu ka kërkuar të kalojmë një jetë të njerëzishme me gratë “ Dhe coni jetë të mirë me to” dhe kjo përfshin jetën e mirë jo vetëm me fjalë , por edhe me vepra. Burrit i takon që të kalojë jetë të mirë me gruan : të sillet mirë me të, të mos e lëndojë dhe ti japë mjaftueshëm , të krijojë marrëdhënie të mira me të, duke përfshirë shpenzimet, veshmbathjet etj. Burri ka për detyrë që për gruan e tij të shpenzojë në mënyrë normale sipas kohës, vendit, gjendjes dhe shoqërisë në të cilën jetojnë.
Kjo është drejtësia e Allahut në ndarjen e pasurisë që meriton secili. Nuk e ka lënë gruan pa gjë, por i ka dhënë asaj të drejtën që ia kish mohuar ligji i periudhës paraislamike. Gruaja ka të drejtë të punojë, të fitojë dhe të trashëgojë. E gjithë kjo si vlerësim për të dhe mundin e saj.