Kush është Pejgamberi jonë?

Pejgamberi jonë është Muhamedi ﷺ (alejhi selam). Quhet Muhamed i biri i Abdullahit i biri i Abdulmutalibit i biri i Hashimit. Është lindur në Mekë. Nëna e tij quhet Amine bija e Uehbit. Është Nebij dhe Resul për të gjithë njerëzit.
Allahu thotë: “Muhamedi nuk ka qenë babai i asnjërit prej burrave tuaj por ai ishte i Dërguari i Allahut dhe vulë e të gjithë Pejgamberëve …” (Ahzab: 40) Ai është bërë Nebij me zbritjen e ajetit ‘Lexo me Emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi çdo gjë’ (Alak: 1) dhe është bërë Resul me zbritjen e ajetit ‘O ti i mbuluar: Ngrihu dhe tërhiqju vërejtjen (duke thirrur)’ (Medethir: 1-2).
Të Dërguarit të Allahut ﷺ shpallja i ka ardhur për herë të parë në moshën 40 vjeçare. Trembëdhjetë vjet pas shpalljes së tij i Dërguar, ai urdhërohet nga Allahu të shpërngulet në Medine, në të cilën qëndroi dhjetë vjetë. Në moshën 63 vjeçare ndërroi jetë.
Gjëja e parë në të cilën thirri i Dërguari i Allahutﷺ ishte teuhidi, të cilin e përmbledhë fjala ‘la ilahe il Allah’ që do të thotë ‘s’ka adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut’. Allahu e ka urdhëruar të Dërguarin e Tij t’i lutet vetëm Atij, që është Një, dhe mos t’i bëjë Atij shok në lutje, siç kanë bërë idhujtarët në kohën e Tij, duke i thënë: “Thuaj: “Unë adhuroj vetëm Zotin tim dhe Atij nuk i bëj asnjë shok.” (Xhin: 20) I Dërguari i Allahut alejhi selam thotë: “Lutja është adhurim.” (Transmeton Tirmidhiu i cili thotë se hadithi është i mirë, i vërtetë.)
Resul (i Dërguar) është ai të cilit i shpallet Sheriat i ri, kurse Nebij (Pejgamber – Lajmëtar) është ai i cili është dërguar për të aprovuar Sheriatin e të Dërguarit që ka qenë para tij. (Libri“Er-Resul uer-Risalat” f. 15, borimi i tretë, viti 1405, autor i të cilit është dr. Umer Sulejman Eshkar. (sh.p.)
Kështu detyrë e muslimanëve është t’i luten vetëm Allahut, e askujt tjetër veç Tij, qoftë ky Pejgamber apo evlija, ngase vetëm Allahu është i mundshëm për t’ia përgjigjur lutjeve tona e të tjerët veç Tij nuk kanë mundësi ta largojnë të keqen nga njerëzit. Allahu i lartësuar thotë: “Ata (idhujt) që i adhurojnë (idhujtarët) veç Allahut, nuk krijojnë asgjë, por se vetë ata janë të krijuar. Janë të vdekur e jo të gjallë dhe ata nuk e dinë se kur do të ringjallen (adhuruesit e tyre).” (Nahl: 20-21)