Valiu Himsit, më i varfër se vetë populli i tij

Të dy halifet e Pejgamberit a.s. e njihnin mirë Sied ibnu Amirin, besnikërinë dhe devotshmërinë e tij, e prandaj edhe i dëgjonin këshillat e tij.
Në ditët e para të sundimit të Omer ibnul Hattabit hyri tek ai dhe iu drejtua me këto fjalë:
– O Omer, të këshilloj të kesh frikë Allahun në marrë-dhëniet me njerëzit e jo të kesh frikë prej njerëzve në marrëdhëniet me Allahun. Fjala jote të mos vijë në kundër-shtim me veprën tën­de, sepse fjala më e mirë është ajo të cilën e vërteton vepra!
– O Omer: Bëhu i njëjtë për të gjithë muslimanët, fatin e të cilëve Allahu ta besoi ty, si ndaj atyre që i ke të afërt dhe atyre që i ke të largët. Dëshiroju atë që dëshiron për vetveten dhe familjen tënde. Mos ia dëshiro të keqen atyre, ashtu si nuk ia dëshiron të keqen vetvetes dhe familjes tënde. Bëhu i qëndrueshëm në vështirësi, në emër të së vërtetës. Në rrugën e Allahut mos u frikëso prej qortimit të askujt!
Omeri pastaj pyeti: – Kush mund ta bëjë këtë, o Seid?!
Ai u përgjigj: – Këtë mund ta bëjë një njeri si ti, të cilit Allahu ia besoi fatin e umetit të Muhammedit a.s. dhe në mes tij e Allahut nuk është askush tjetër.
Pas kësaj bisede, Omeri r.a. e ftoi Seidin që ta ndihmojë dhe i tha: – O Seid, unë po të emëroj vali të Himsit.
Seidi iu përgjigj: – O Omer, pasha Allahun, mos më drejto nga kjo botë e ta harroj ahiretin!
Omeri i hidhëruar ia ktheu: – Ç’është me ju?! Më keni varur në qafë tërë këtë barrë (hila­fetin) ‑ udhëheqjen e muslimanëve ‑ e pastaj më lëni vetëm!!
Atëherë Seidi ia ktheu: – Pasha Allahun, nuk do të lë!
Pastaj Omeri e emëroi vali të Himsit dhe i tha: – A të caktoj një pagë të rregullt?
Seidi iu përgjigj: – Ç’të bëj me të, o prijës i muslimanëve?! Ajo që më ndahet nga fondi i pasurisë së muslimanëve i plotëson nevojat e mia dhe më tepron.
Pastaj shkoi në Hims…
Nuk shkoi shumë kohë dhe erdhi tek Omeri një delegacion nga Himsi, në të cilin ai kishte besim të plotë.
Omeri iu drejtua atyre me këto fjalë: – Shkruani emrat e të varfërve të Himsit që t’u jepet një ndih­më e cila do t’ua plotësojë nevojat më elementare të tyre.
Delegacioni e përpiloi listën e të varfërve dhe ia dorëzoi Omerit r.a., e në mesin e të varfërve gjendej edhe emri i Seid ibnu Amirit.
Kur Omeri e pa emrin e tij pyeti: – Kush është ky Seid ibnu Amir?!
Ata iu përgjigjën: – Valiu ynë.
Omeri pyeti përsëri: – Valiu juaj i varfër?!
Ata u përgjigjën: – Po, pasha Allahun, kalojnë ditë të tëra e në shtëpinë e tij nuk ndi­zet zjarri.
Duke i dëgjuar këto fjalë, Omeri qau derisa lotët iu bashkuan në mjekër. Mori një mijë dinarë dhe i vuri në një qese dhe tha:
– Përcillni Seidit të falat e mia dhe i thujini: “Halifeja e muslimanëve t’i ka dërguar këto të holla për disa nevoja personale.”
Delegacioni shkoi te Seidi dhe ia solli qesen. E shikoi atë dhe kur i pa dinarët filloi t’i largojë duke thënë: – Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi!
Ishte goditur si­kur t’i kishte ndodhur ndonjë fatkeqësi. Kur e vërejti këtë gruaja e tij nxitoi tek ai për t’i dalë në ndihmë dhe e pyeti: – Çka të ka ndodhur, o Seid?! A mos ka vdekur halifeja i muslimanëve?!
Seidi u përgjigj: – Jo, diçka më e madhe se ajo.
Kur ajo përsëri e pyeti: – A mos kanë pësuar muslimanët disfatë në ndonjëren prej betejave të tyre?!
Seidi përsëri u përgjigj: – Jo, diçka edhe më e madhe.
Atëherë ajo pyeti: – Çka mund të jetë më e madhe se kjo?!
Ai u përgjigj:- Ka hyrë tek unë dynjaja, që të ma prishë ahiretin, dhe hyri e keq­ja në shtëpinë time.
Gruaja tha: – Largoje atë! ‑ duke mos ditur asgjë për dinarët.
Ai e pyeti: – A do të më ndihmosh?
Ajo u përgjigj: – Po.
Seidi i mori dinarët dhe i ndau në qese të vogla e pastaj ua ndau muslimanëve të varfër.
Pas një kohe të shkurtër Omeri shkoi në vizitë në Sham për të pa­rë për së afërmi gjendjen e popullit. Pastaj arriti në Hims, që qu­hej “El‑Kuvejfe” (Kufa e vogël), për shkak të ankesave të shumta të banorëve të Himsit ndaj valive të tyre, ashtu sikurse vepronin banorët e Kufes në Irak.
Me rastin e ardhjes së Omerit r.a. banorët e Himsit kishin ardhur për ta përshëndetur e ai i pyeti:
– Si sillet valiu juaj!
Ata u ankuan dhe përmendën katër çështje, secilën më të madhe se tjetrën.
Omeri tregon e thotë: I bëra bashkë banorët e Himsit dhe va­liun e tyre dhe e luta Allahun që të mos më zhgënjejë në të, sepse kisha besim të madh.
Kur u bënë së bashku tek unë, ata dhe valiu i tyre, u thashë: – Për çka ankoheni nga valiu juaj?
Ata u përgjigjën: – Nuk paraqitet në mes nesh vetëm pasi kalon një pjesë e mirë e ditës.
I thashë: Ç’thua për këtë, o Seid?
Heshti pak e pastaj tha: – Pasha Allahun, nuk kam dashur të flas për këtë. Mirëpo, pasi po më pyetni, po ju tregoj. Familja ime nuk ka shërbëtor, prandaj unë çdo mëngjes e përgatis brumin dhe e lë një kohë de­risa të vijë e pastaj i gatuaj bukët. Pas kësaj marr abdes dhe dal në popull.
Omeri pastaj pyeti: – Cila është ankesa tjetër?
Ata thanë: – Askujt nuk i përgjigjet në ftesë gjatë natës.
I thashë: Ç’thua për këtë, o Seid?
U përgjigj: – Pasha Allahun nuk kam dashur ta nxjerr në shesh këtë. Unë ditën ia kam kushtuar nevojave të popullit, kurse natën e kam caktuar t’i bëj ibadet Allahut xh.sh.
Omeri pyeti prapë: – Cila është ankesa tjetër?
Ata u përgjigjën: – Nuk paraqitet te ne një herë në muaj.
E pyeta: Ç’thua për këtë, o Seid?
Ai u përgjigj: – Nuk kam shërbëtor, o udhëheqës i muslimanëve, dhe nuk kam rroba të tjera përveç këtyre që kam në trupin tim. Këto i laj një herë në muaj dhe i lë të thahen, e kur të thahen i vesh dhe dal në popull dikur vonë, nga fundi i ditës.
Pastaj Omeri pyeti përsëri: – Për çfarë ankoheni tjetër?
Ata u përgjigjën: – Shumë herë thellohet në mendime, kur rrimë së bashku, saqë nuk di se ku është.
E pyeta: “Ç’thua për këtë, o Seid?
U përgjigj: – Isha dëshmitar i mbytjes së Hubejb ibnu Adijjit, kur unë isha pabesimtar. E kam parë se si kurejshitët ia prenin gjymtyrët e tru­pit një nga një dhe i thonin: “A do të dëshiroje që Muhammedi të jetë në vendin tënd?”
Ndërsa ai përgjigjej:
“Pasha Allahun, nuk do të dëshiroja që unë të jem i qetë me fa­miljen time e me fëmijët e mi e Muhammedi të theret qoftë edhe prej një therre.” Betohem në Allahun se çdoherë që më kuj­tohet ajo ditë dhe i bëj pyetje vetvetes përse nuk i dola në ndihmë, më kap frika se Allahu nuk do të ma falë këtë dhe për këtë arsye kaloj në atë gjendje.
Pas kësaj Omeri tha: – Falënderimi i qoftë Allahut, që nuk më zhgënjeu në para­gjy­kimet e mia ndaj Seidit.
Pastaj nxori një mijë dinarë dhe ia dhuroi Seidit për t’i plotë­suar disa nga nevojat e tij më elementare.
Kur i pa gruaja e tij tha: – Falënderimi i qoftë Allahut, i cili na liroi prej shërbimit tënd. Blej gjërat ushqimore dhe merre me pagë një shërbëtor.
Seidi ia ktheu: – A ke propozim më të mirë se ky?
Gruaja pyeti: – Cili është ai?!
Ai u përgjigj: – Ia japim Atij që na i kthen, atëherë kur ne kemi nevojë shumë të madhe për të.
Gruaja pyeti: – Kujt?! – Ia japim dikujt për Allahun, si hua më të mirë.
Gruaja ia ktheu: Allahu të shpërbleftë me të gjitha të mirat!
Ende pa u larguar nga tubimi, dinarët i shpërndau në disa qese dhe i tha njërit nga familja e vet: – Dërgoja këta dinarë të vejës së filanit dhe jetimave të filanit, të varfërve të familjes së filanit dhe atyre që kanë nevojë prej familjes së filanit.

Allahu qoftë i kënaqur me Seid ibnu Amir el‑Xhumehiun. Ai ishte prej atyre që u jepte përparësi të tjerëve para vetvetes, edhe pse ai kishte nevojë për pasuri.