Kush të mbron ty nga unë?

Njëra nga ngjarjet, që ka ndodhur në luftën e Dhatu Rikasë, është edhe kjo si më posht:
Një ditë, i Dërguari i Allahut ﷺ zbriti të pushonte nën hijen e një peme të dendur. Aty vari shpatën dhe ra të flinte. Njerëzit e tjerë u shpërndanë nëpër hijet e pemëve dhe fjetën. Ndërkohë, vajti një idhujtar dhe e kapi shpatën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, kur ai po flinte.
Kur u zgjua pa idhujtarin me shpatë në dorë, që po i thoshte: “A ke frikë nga unë?” I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Jo.” “Kush të mbron ty tani nga unë?” – e kërcënoi përsëri idhujtari. “Allahu”,- ia ktheu i Dërguari i Allahut ﷺ. Nga toni i zërit të Profetit ﷺ idhujtarit i ra shpata nga dora dhe e kapi i Dërguari i Allahut ﷺ: “Po ty kush të mbron nga unë tani?”,- i tha i Dërguari i Allahut ﷺ. “Aman mos më vrit!”,- iu lut idhujtari. Profeti ﷺ e ftoi atë për në Islam, por ai nuk u bë mysliman. Megjithatë, i dha besën Profetit ﷺ se nuk do të luftonte kurrë më kundër tij dhe se nuk do të bashkohej kurrë me ata që e luftonin.
Atëherë, Profeti ﷺ e la të lirë dhe ai shkoi te njerëzit e vet. U tha atyre: “Vërtet, unë po vij te ju nga ai njeri, që është më i miri i njerëzve.”