Mrekullia me hënën që u nda më dysh

Idhujtarët mendonin se nga vetitë e të Dërguarve të Allahut ishte se ata kishin aftësi të bënin çudira e mrekulli, kur të donin, ashtu siç kanë mundesi tërë njerëzit për të kryer punët e tyre të zakonshme. Prandaj, i propozuan Profetit (s.a.u.s.) që t’ua kthente atyre Safanë në flori, t’ua bënte malet fusha, ku të rridhnin lumenj, ose të ringjallte prindërit e tyre që të dëshmonin se ai ishte i Dërguari i Allahut (s.a.u.s.).

Kur Kurejshët e panë se i Dërguari i Allahut (s.a.u.s.) nuk iu përgjigj me shenjat që i propozuan, menduan se të vazhdonin t’i kërkonin shenja atij do të ishte mjeti më i mirë për ta mposhtur atë dhe për ta bërë të heshtte. Kështu do të bindnin njerëzit se Muhamedi ishte shpifës dhe jo i dërguar. Prandaj, ata ndërmorën një hap tjetër. Vendosën që t’i kërkonin Profetit (s.a.u.s.) një mrekulli që ta vendoste ai vetë, duke shpresuar që mrekullia të mos ndodhte.

Kështu njerëzit do të shikonin paaftësinë e tij dhe nuk do ta besonin. Erdhën dhe i thanë: “A mund të na tregosh ndonjë shenjë, që ne të kuptojmë se ti je i Dërguari i Allahut?” Atëherë, i Dërguari i Allahut (s.a.u.s.) i kërkoi Zotit të vet që t’u tregonte atyre ndonjë shenjë. Allahu i Madhëruar ua ndau atyre Hënën në dy pjesë: njëra pjesë u duk sipër malit të Ebu Kubejsit, ndërsa tjetra më poshtë; midis dy pjesëve të Hënës u duk mali Hira.

I Dërguari i Allahut (s.a.u.s.) u tha atyre: “Dëshmoni!” Kurejshët e shikuan krejt qartë këtë mrekulli dhe për një kohë të gjatë mbetën gojëhapur, por përsëri nuk besuan, madje, thanë: “Kjo është magjia e Ebu Kebishes. Vërtet, Muhamedi na bëri magji neve.” Mirëpo u çua një burrë dhe tha: “Në qoftë se Muhamedi u ka bërë magji juve, ai nuk mund që t’u bëjë magji të gjithë njerëzve. Prandaj prisni, derisa t’ju vijnë udhëtarë.” Erdhën udhëtarët në Mekë dhe Kurejshët i pyetën për hënën e ndarë më dysh. Ata u përgjigjën: “Po, e kemi parë.” Megjithë këtë Kurejshët vazhduan në mosbesimin e tyre dhe shkuan pas dëshirave të tyre.

Ndarja e hënës më dysh erdhi si një parapërgatitje për një shenjë edhe më të madhe. Ajo ishte Israja dhe Miraxhi. Shikimi i hënës, që ndahet në dy pjesë me syrin e vërtetë, e bën edhe më të lehtë për mendjet pranimin e Israsë dhe të Miraxhit.
Sidoqoftë, Allahu e di më mirë.