Si duhet të sillemi kur vizitojmë të sëmurin

1. Të vizitohet i sëmuri me nijjet të pastër dhe qëllim të mirë, siç vizitohet një dijetar që vepron sipas dijes së tij ose një vëlla që është besimtar i denjë. Një vëlla vizitohet me qëllim që të udhëzohet në të mbarë dhe t’i tërhiqet vërejtja nga e keqja me metodë të butë dhe njerëzore ose vizita ka për qëllim që t’i kryhet një punë, t’i lahet një borxh ose të kuptohet gjendja e tij. Pejgamberi alejhi selam thotë: “Kush e viziton (për t’i dhënë durim) një të sëmurë ose e viziton një vëlla të tij vetëm për hir të Allahut (pra pa kurrfarë interesi), atij i vjen një thirrës duke i thënë: “Je i bekuar dhe të është bekuar ecja, e i ke përgatitur vetes një vend në xhenet.” (Transmetojnë Tirmidhiu dhe Ibni Maxhe me sened të mirë)

2. Duhet të jetë i kujdesshëm dhe t’u përmbahet disa rregullave, që të mos e rëndojë të vizituarin, p.sh. ta vizitojë në kohë të përshtatshme për vizitë. Nëse i sëmuri ndodhet në shtëpinë e tij, duhet t’i kërkohet leje para shkuarjes tek ai dhe të trokasë në derë njerëzishëm. Kur hyn tek i sëmuri, duhet të ulë shikimi (e të mos shikojë djathtas e majtas e as përvjedhshëm), të prezantojë veten dhe të mos ndalet shumë, ngase qëndrimi i tepërt e rëndon dhe ngushton të sëmurin.

3. Vizituesi duhet të bëjë dua për shërim dhe shëndet për të sëmurin, ngase Pejgamberi alejhi selam kur hynte te ndonjë i sëmurë thoshte: “Mos u brengos, insha Allah është pastrim (i mëkateve të tua).” (Transmeton Buhariu)

4. Me dorën e tij të djathtë le ta prekë të sëmurin dhe le t’i thotë: ALLAHUMME RABBEN-NASI EDH’HEBIL BE’SE VESH-FI ENTESH-SHAFI. LA SHIFAE IL-LA SHIFAUK. SHIFAEN LA JUGADIRU SEKAMA. (O Allah, Zot i njerëzve, largoja këtë brengë dhe shëroje atë, se vetëm Ti je shërues. Nuk ka shërim të vërtetë përveç shërimit Tënd, shërim të cilit nuk mund t’i kthehet sëmundja.) Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.

5. Vizituesi duhet ta ulë shikimin e të mos jetë i bezdisshëm me pyetje (pra të pyesë pak), ta shfaqë përkëdhelësinë para të sëmurit dhe ta këshillojë që të bëjë durim, sepse në të ka shpërblim të madh. Gjithashtu, ai du-het t’ia tërheqë vërejtjen nga rënkimet, sepse ato i shtojnë mëkatet dhe e humbin shpërblimin (e durimit).

6. Kur të shohë ndonjë të sëmurë a të gjymtuar, le të lutet fshehurazi që të ketë shëndet për vete, duke thënë: ELHAMDULIL-LAHIL-LEDHI AFANI MIMMA IBTELAKE BIHI VE FEDDALENI ALA KETHIRIN MINEL HALKI TAFDILA. (Falënderimi i qoftë Allahut, i Cili më ka dhënë shëndet me atë që ty të ka provuar dhe më ka mbivlerësuar dukshëm mbi shumë krijesa.) Transmeton Tirmidhiu, hadithi është sahih.