Si na ka udhëzuar Profeti ﷺ në lidhje me këndimin e Kuranit

Ebu Davudi dhe Nesaiu transmetojnë se Profeti ﷺ këndonte në namazin e vitrit suret: El-A´la, El-Kafirun dhe El-Ihlas. Kur jepte selamin ai thoshte tre herë: ” I Lavdëruar qofsh o Sundues i Shenjtë!”, duke e zgjatur dhe ngritur zërin e tij kur shqiptonte këtë frazë herën e tretë. Gjatë këndimit të Kuranit ai e ndërpriste këndimin e tij dhe bënte një ndalesë të shkurtër pas cdo ajeti.
Ai e lexonte Kuranin ngadalë dhe qartë, jo përcartë dhe jo shpejt, madje e lexonte shkronjë për shkronjë. Profeti ﷺ e zgjaste leximin te zanoret e gjata, si te fjalët ” Err-Rrahman”, ” Err- RRahim” etj. Në fillim të këndimit të Kuranit, ai kërkonte mbrojtjen e Allahut nga shejtani i mallkuar. Ai dëshironte të dëgjonte këndimin e Kuranit nga shokët e tij.
Profeti ﷺe lexonte Kuranin duke qëndruar në këmbë, ulur, shtrirë, me abdes dhe pa abdes, por nuk e ka lexuar atë kur ka qënë i papastër (xhunub). Ai e lexonte Kuranin me zë melodik( e zbukuronte zërin). Në lidhje me këtë, Profeti ﷺ ka thënë: ” Ai që nuk e këndon bukur Kuranin, nuk është prej nesh”. Ai gjithashtu ka thënë: “Zbukurojeni Kuranin me zërat tuaj!”.