Kërkesat e vendosura nga Kurani për çdo mysliman dhe myslimane përmblidhen si më poshtë:
– një mysliman(e) duhet të besojë në Kuran;
– ai (ajo) duhet ta lexojë atë;
– ai (ajo) duhet të përpiqet për ta kuptuar atë;
– ai (ajo) duhet të veprojë në përputhje me mësimet etij;
– ai (ajo) duhet të transmetojë mësimet e tij
Sigurisht, jo gjithmonë është i mundshëm të kuptuarit e tekstit; megjithatë, myslimani duhet të përpiqet vazhdimisht për të studiuar dhe kuptuar domethënien e Fjalës së Zotit. Vetë Kurani vë në dukje se leximi i thjeshtë ose përsëritja janë të pamjaftueshme. Për t’i qëndruar besnik frymës së Kuranit, ai të fton për të menduar thellë dhe më pas për të vepruar në përputhje me Tekstin.
– Ky (Kuran) është një libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendimtarët. [38/29]
– Vallë, a nuk përsiatin ata për Kuranin apo i kanë zemrat të kyçura?! [47/24] – Vallë, a nuk kanë medituar ata mbi Fjalën(Kuranin), apo atyre u ka ardhur ajo që nuk u kishte ardhur të parëve të tyre? [23/68]
Për ta kuptuar mirë Kuranin, duke nisur nga studimi i tij, është i rekomandueshëm një qasje korrekte, linjat kryesore të së cilës janë:
– respektimi i parimeve themelore për një studim të frytshëm të Kuranit;
– të jesh plotësisht i bindur se bëhet fjalë për Fjalën e Zotit;
– të lexosh duke kërkuar vetëm pëlqimin dhe kënaqësinë e Zotit;
– të pranosh plotësisht rrugën e tij dhe të pajtohesh me të;
– të kërkosh strehim pranë Zotit, të kërkosh ndihmën eTij për studimin e Fjalës së Tij dhe ta falënderosh e ta lavdërosh për të fituar bekimet e Tij;
– të përforcosh e të ruash praninë dhe përqendrimin e zemrës;
– të kesh përshtypjen se po e dëgjon Kuranin drejtpërdrejt nga Zoti;
– të jesh i ndërgjegjshëm për të qenë gjithmonë pranë Zotit;
– ta ndiesh se Kurani po të drejtohet ty;
– të përshtatësh një sjellje të hijshme dhe të pastrohesh nga jashtë e nga brenda;
– të reflektosh për Kuranin dhe të përpiqesh për ta kuptuar atë;
– të vlerësosh se çdo varg përmban një kuptim aktual dhe se ai nuk ka lindur nga një tregim i kohës së shkuar;
– ta lexosh krejtësisht Kuranin për të pasur një ide të përgjithshme për të;
– të shmangësh komentet e zgjatura kur je në fillim të Kuranit;
– të mësosh gjuhën e Kuranit;
– të reflektosh thellësisht mbi atë që ke lexuar dhe ta recitosh Kuranin në mënyrë të ngadalshme dhe të harmonishme (tertîl);
– të përpiqesh të hysh tërësisht në atë që studion;
– të kujtosh se si Profeti dhe Shokët e tij kanë pranuar Kuranin;
– të vlerësosh se çdo fragment i Kuranit i adresohet çdo personi që e lexon, e thotë ose e dëgjon;
– të parashtrosh një përgjigje të brendshme për vargjet kuranore dhe ta shprehësh atë duke lavdëruar Zotin dhe duke kërkuar faljen e Tij;
– ta recitosh çdo ditë Kuranin dhe ta mësosh atë përmendësh aq sa është e mundur;
– të përpiqesh për të jetuar me mësimet e Kuranit, meqenëse ai është rruga për të gjithë njerëzimin.
Kjo përbën mjetin më të mirë për t’iu afruar Kuranit dhe për të përvetësuar kuptimin e tij. Gjithashtu, çdo mysliman(e) duhet t’i kushtohet respektimit të përditshëm të Profetit Muhamed (a.s.). Ai është njeriu më i afërt i Kuranit, ai që e ndiente dhe e kuptonte më mirë atë, sikurse thoshte për të gruaja e tij, Aishja: “Profeti ishte shprehja e gjallë e Kuranit”.