Jeta me Allahun

Jeta është argument për njeriun ose kundër tij. Kalojnë momentet, orët, ditët e vitet e saj, të tëra kalojnë dhe e shpijnë atë drejt dashurisë së Allahut dhe kënaqësisë së Tij, gjersa të jetë prej triumfuesve, banorëve të Xhennetit. Apo të tërat i kalojnë dhe e shpijnë drejt zjarrit dhe hidhërimit të Atij që është i Vetëm, Gjykues.

Jeta të bën të qeshësh një moment, e që më pas të qash tërë kohën. Apo të bën të qash një moment, e që më pas të qeshësh tërë kohën.

Jeta ose është mirësi për njeriun, ose vuajtje. Kjo jetë të cilën e jetuan të parët, e jetuan baballarët dhe gjyshërit. E jetuan të mëparshmit dhe ecën drejt Allahut të Lartësuar me veprat e tyre.

Jetë d. m. th. çdo moment që e jeton dhe çdo orë që të kalon. Në këto çaste ne jetojmë një jetë ose në favor tonin ose kundër nesh. Njeriu i suksesshëm dhe i lumtur është ai që e vështron këtë jetë dhe e njeh realitetin dhe vlerën e saj. Kjo jetë, pasha Allahun, sa herë i ka bërë shumë njerëz të qajnë dhe nuk janë terur lotët e tyre. Dhe, sa e sa herë i ka bërë disa njerëz të qeshin, e që më pas nuk iu janë kthyer buzëqeshjet dhe gëzimi i tyre. Jetën, të dashurit e mi për Allahun, Allahu e ka bërë sprovë dhe provim dhe test, që në të shfaqen fshehtësitë e robërve. Pas kësaj ose fitues me mëshirën e Allahut, i lumtur, ose i privuar nga kënaqësia e Allahut, fatligë dhe i larguar. Çdo çast që e jeton, ose Allahu është i kënaqur me ty në atë çast ose e kundërta, prej të cilës kërkojmë strehim te Allahu. Këto çaste ose të afrojnë afër Allahut, ose të largojnë prej Tij.

Ndoshta e jeton një moment të vetëm ku ndjen dashurinë e Allahut, afërsinë ndaj Tij, e të falen të këqijat e jetës, të falen mëkatet e jetës. Ose e jeton në të një moment të vetëm ku devijon nga rruga e Allahut dhe largohesh nga respekti ndaj Allahut dhe kjo bëhet shkak që njeriu të jetë i pafat tërë jetën e tij.
E lusim Allahun të na ruajë dhe të na mbrojë!