Si dhe pse t’i vizitojmë varret?

Vizita e varreve është e pëlqyer në çdo rast. Kjo vizitë ka dobi dhe bëhet sipas rregullave:

a) Në vizitën e varreve ka përkujtim dhe këshillim. Me këtë rast të gjallët kujtojnë se do të vdesin dhe do të japin llogari për veprat e tyre. Muhamedi alejhi selam thotë: “Ua pata ndaluar t’i vizitoni varrezat, tani vizitojini ato, që kjo vizitë t’u përkujtojë të mirën.” (Transmeton Muslimi)

b) Ti lutemi Allahut për të vdekurit. Muhamedi alejhi selam i ka mësuar shokët e Tij që gjatë vizitës së varreve të thonë: “Es-selamu alejkum ehleddijjari minel-mu’minine uel-muslimin, ue inna insha Allahu bikum lahikun, es’elullahe lena ue lekumul-afije (paqja e Allahut qoftë mbi ju, banorë të këtij vendi, besimtarë e muslimanë, ne, nëse do Allahu, pas jush do të vijmë këtu. I lutemi Allahut për ne dhe për ju të na shpëtojë).” (Transmeton Muslimi)

c) Ndalohet të ulurit mbi varre dhe të falurit drejt tyre. Muhamedi alejhi selam thotë: “Mos u falni në drejtim të varreve e as mos u ulni mbi to.” (Transmeton Muslimi.)

d) Ndalohet leximi i pjesëve nga Kur’ani. Muhamedi alejhi selam thotë: “Mos i bëni shtëpitë tuaja varre, ngase shejtani largohet nga shtëpia në të cilën lexohet sureja Bekare.” (Transmeton Muslimi.) Muhamedi alejhi selam pasi është varrosur dikush ka thënë: “Lutjuni Allahut t’ia falë mëkatet vëllait tuaj dhe kërkoni prej Allahut që ta përforcojë, sepse ai tash pyetet.” (Transmeton Hakimi, hadithi është sahih.)

e) Ndalohet vënija e kurorës me lule, sepse këtë vepër nuk e ka bërë Muhamedi alejhi selam e as shokët e tij. Gjithashtu ky veprim është edhe përngjasim me të krishterët, përngjasim i cili është ndaluar në i Dërguari i Allahut alejhi selam.

f) Ndalohet ndërtimi mbi varre dhe zbukurimi i tyre. Transmetohet në hadith të vërtetë se Muhamedi alejhi selam ka ndaluar ngjyrosjen e varreve dhe ndërtimin mbi to. (Transmeton Muslimi.)