Përpjesëtimi i fitimit në musharaka

A është e domosdoshme që përpjesëtimi i fitimit të secilit ortak të jetë i njëjtë me përpjesëtimin e kapitalit të investuar nga ai? Ekzistojnë mendime të ndryshme ndër juristët muslimanë lidhur me këtë çështje:
Sipas mendimit të Imam Malikut dhe Imam Shafiut, është e domosdoshme për vlefshmërinë e musharakesë që secili ortak të marrë fitimin tamam aq sa ka investuar. Kështu, nëse A ka investuar 40 % të kapitalit të përgjithshëm, ai duhet të marrë vetëm 40% të fitimit. Çfarëdo një marrëveshje e kundërt me këtë e cila do t’ia mundësonte atij të marrë më shumë ose më pak se 40% musharakenë do ta
bënte të pavlefshme nga aspekti i Sheriatit.

Nga ana tjetër, mendimi i Imam Ahmedit është se përpjesëtimi i fitimit mund të dallojë nga përpjesëtimi i investimit nëse kështu merren vesh ortakët me pëlqimin e lirë të tyre. Prandaj, është e lejueshme që ortaku i cili merr pjesë me 40% investim të marrë 60 ose 70% të fitimit, kurse ortaku tjetër me 60 % investim të marrë vetëm 40 ose 30%.

Mendimi i tretë është ai i Imam Ebu Hanifes, i cili mund të merret si rrugë e mesme midis dy mendimeve të përmendura më lart. Ai thotë se përpjesëtimi i fitimit mund të dallojë prej përpjesëtimit të investimit në kushte e rrethana normale. Mirëpo, nëse njëri prej ortakëve ka vënë një kusht të veçantë në marrëveshje se ai kurrë nuk do të punojë për musharakenë dhe se do të mbetet
ortak i fjetur/pasiv përgjatë gjithë kohës së musharakesë, atëherë pjesa e tij e fitimit nuk mund ta tejkalojë përpjesëtimin e investimit të tij.

Ky postim eshte pjese e serisë Rregullat kryesore të musharakesë

  1. Shpërndarja e fitimit
  2. Përpjesëtimi i fitimit
  3. Ndarja e humbjes
  4. Natyra e kapitalit