Rëndësia e leximit të Kuranit përmendesh

Rasti i hafëzit dhe atij që s’është hafëz i shëmbëllen dy personave në udhëtim. I pari si ushqim të vetin ka hurmat, kurse i dyti miellin. I pari ha kur të dëshirojë, madje duke qenë hipur në mjetin eudhëtimit, kurse i dyti patjetër duhet të zbresë, të gatuajë, të ndezë zjarr, ta pjekë dhe ta presë pjekjen.
Dija është sikurse ilaçi. Nuk ndikon pa depërtuar në brendësi dhe pa u përzier me gjak, përndryshe ka ndikim të përkohshëm. Po ashtu është sikurse aparati i pajisur me bateri dhe ai pa bateri. I pari mund të aktivizohet në çdo vend, kurse i dyti medoemos ka nevojë për burim energjie.

Ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të!, transmeton se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!, ka thënë: “Ai, në gjoksin e të cilit nuk ka asgjë nga Kurani (nuk di asgjë përmendsh nga Kurani), është sikurse shtëpia e braktisur dhe e rrënuar.”(107 Sunen et Tirmidhi).
Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë!, thotë: “Xhenetin dhe kopshtin e kam në gjoks. Kudo që shkoj,e marr me vete (nuk më ndahet).” Ka për qëllim Kuranin dhe Sunetin, që janë të ngulitur në gjoks dhe ia shtojnë bindjen.

Sehl ibn Abdullahu, Allahu e mëshiroftë!, një nxënësi të tij i kishte thënë: “A e di Kuranin përmendsh? Ai i kishte thënë jo.” Ndaj, tha: “O Allah! Të kërkoj ndihmë! Besimtari nuk e ditka Kuranin përmendsh! Me çka do të këndojë? Me çka do të begatohet? Me çka do t’i përgjërohet Zotit të vet?”Abdullah ibn Bishër el Katani, Allahu e mëshiroftë!, thotë: “Nuk kam parë njeri më të përpiktë me ajetet e Kuranit sesa Ebi Sehl ibn Zijadin, Allahu e mëshiroftë!, komshiun tonë. Vazhdimisht falte namaz nate, lexonte Kuran dhe, për shkak të dijes së tij, Kurani sikur i qëndronte para sysh, merrte prej tij kurdo që donte, pa u lodhur.”(Tarih Bagdad, 5/45..)

Kjo nënkupton faktin se nxënia përmendsh (e Kuranit) është një ndër çelësat e meditimit, ngase sa herë që ajeti është i mësuar përmendsh, është i pranishëm dhe zbritja e tij në raste dhe situata të përditshme në të cilat kalon personi bëhet shumë shpejt dhe drejtpërdrejt. Porse, nëse Kurani qëndron vetëm në rafte, si mund ta praktikojmë në jetën tonë?