Të vdekurit nuk e dëgjojnë lutjen që bëhert për ta. Allahu thotë: “E ti nuk mund ta bësh të dëgjojë ai që është në varr.” (Fatir: 22) “Vetëm ata që dëgjojnë (mesazhin e Pejgamberit Muhamed alejhi selam) do të pranojnë (e do të përfitojnë), por sa për të vdekurit (kafirët), Allahu do t’i ngrejë ata dhe tek Ai do të kthehen (për të marrë shpërblimin e tyre).” (En’am: 36)
I Dërguari i Allahut alejhi selam ka thënë: “Allahu ka melekë vëzhgues në tokë që i kumtojnë përshëndetjet e umetit tim.” (Hadithi është i vërtetë.) Meqënë se i Dërguari i Allahut alejhi selam nuk i dëgjon përshëndetjet e umetit të tij pa ndërhyrjen e melekëve si mund të dëgjojnë të tjerët?! Transmetohet nga Ibn Umer r.a. i cili ka thënë: “Muhamedi alejhi selam u ndal në vendin e betejës në Bedër atje ku kishin vdekur mushrikët dhe tha: ‘A e gjetët të vërtetën, atë që ua premtoi Zoti juaj?’ Pastaj tha: ‘Këta tash dëgjojnë ç’them Unë’.”
Kjo ngjarje u përmend në prani të Aishes r.a. e ajo tha: “Muhamedi alejhi selam ka thënë: “Ata tash e dinë që ajo të cilën ua kam thënë unë është e vërtetë.” Pastaj lexoi ajetin 80 nga sureja Neml. “Ti nuk mund t’i bësh të dëgjojnë të vdekurit.”” Katadja, që transmeton hadithin e Ebi Talhës, thotë: “I ka ngjallë Allahu (ata) për të dëgjuar fjalët e Pejgamberit për t’i nënçmuar ata dhe duke ua treguar atyre dënimin që kanë gjetur dhe pendimin e tyre të vonuar e të padobishëm.” (Transmeton Buhari.)
Duke u mbështetur në argumetet e mësipërme nxjerrim përfundimin se të vdekurit në përgjithësi nuk dëgjojnë ndërsa për sa i përket shprehjes së të Dërguarit të Allahut ‘ata tash dëgjojnë’ kjo ka të bëjë me një rast të veçantë. Allahu në këtë rast i ka bërë atyre të mundur që të dëgjojnë e kjo është mrekulli që Allahu ia ka dhënë të Dërguarit të Tij.
Allahu e di më mirë.