Falje quhet mosndëshkimi i keqbërësit edhe kur ekziston mundësia, por në shenjë bamirësie ndaj tij t’i falet ajo që ka bërë e të mos ndëshkohet.
Aisheja tregon se i Dërguari i Allahut kurrë nuk hakmerrej personalisht për vete, përveç kur ishte në pyetje shkelja e ligjeve të Allahut, atëherë ai ndëshkonte për këtë. (Buhariu)
Xhabiri rrëfen se i Dërguari i Allahut ishte në një betejë dhe derisa muslimanët ishin të shkujdesshëm ndaj tij, i erdhi njëri prej armiqve me shpatë në dorë, e rrëmbeu fort dhe i tha: “Kush të mbron tani prej meje? Ai i tha: “Allahu”. Atij i ra shpata nga dora. Muhamedi, (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), e mori shpatën dhe i tha: “Po ty tani kush të mbron prej meje?” Ai i tha: Bëhu më i miri që hakmerret. I Dërguari i tha: “A do të dëshmosh se nuk ka të adhuruar përveç Allahut dhe se unë jam i Dërguari i Allahut?” Ai i tha: Jo, por nuk do të luftoj më kundër teje dhe nuk do të jem në anën e atyre që të luftojnë. Ai e lëshoi. Kur shkoi te njerëzit e vet u tha: Jam duke ardhur nga njeriu më i mirë që keni parë ndonjëherë”. (Shënon Ahmedi, Buhariu dhe Muslimi.)