Shumica e juristëve muslimanë janë të mendimit se kapitali i investuar nga ana e secilit prej ortakëve duhet të jetë në formë likuide. Kjo do të thotë se kontrata e musharakesë mund të mbështetet vetëm në para e jo edhe në mallra. Me fjalë të tjera, kapitali aksionar i një ndërmarrjeje të përbashkët duhet të jetë në formë monetare. Asnjë pjesë e tij nuk mund të investohet në natyrë. Megjithëkëtë, lidhur me këtë ka mendime të ndryshme.
1. Imam Maliku është i mendimit se likuiditetiti i kapitalit nuk është kusht për vlefshmërinë e musharakesë, ndaj dhe është e lejueshme që një ortak të investojë në musharake në natyrë, me kusht që pjesëmarrja e tij të përcaktohet në bazë të vlerësimit sipas çmimit të tregut të përhapur në datën e lidhjes së kontratës. Këtë mendim e ndajnë edhe disa juristë hanbeli.
2. Imam Ebu Hanifja dhe Imam Ahmedi janë të mendimit se asnjëfarë investimi në natyrë nuk pranohet në musharaka. Qëndrimi i tyre mbështetet në dy arsye:
E para, ata thonë se mallrat e njërit ortak gjithnjë dallojnë prej mallrave të ortakut tjetër. Për shembull, nëse A investon një veturë në biznes dhe B vjen me një veturë tjetër, secila prej veturave është pronë ekskluzive e pronarit të saj origjinal.
Tani, nëse shitet vetura e A, atëherë fitimet nga shitja e saj do t’i shkojnë A. B nuk ka të drejtë të kërkojë hise në këtë fitim. Prandaj, përderisa prona e njërit ortak dallon prej pronës së ortakut tjetër, nuk mund të bëhet asnjë ortakëri. Përkundrazi, nëse kapitali i investuar nga ortakët është në formë parash, kapitali aksionar i secilit ortak nuk mund të dallohet prej atij të tjetrit, sepse njësitë e parave nuk dallojnë prej njëra-tjetrës, ndaj edhe ata do të jenë të detyruar të formojnë një fond të përbashkët me çka vjen në dukje ortakëria.
E dyta, thonë ata, ka shumë raste në kontratën e musharakesë ku ortakët detyrohen t’ia bëjnë rindarjen e kapitalit aksionar secilit prej ortakëve. Sikur kapitali aksionar të ishte në formë mallrash, një rindarje e tillë nuk do të mund të ndodhte, sepse tanimë mallrat mund të ishin shitur. Nëse kapitali ripaguhet në bazë të vlerës së tij, me kalimin e kohës vlera mund t’i ishte rritur tej mase, ndaj ekziston mundësia që njëri ortak ta marrë gjithë fitimin e biznesit, për shkak të ngritjes së vlerës së mallrave që i ka investuar, duke e lënë ortakun tjetër me duar thatë. Nga ana tjetër, nëse vlera e atyre mallrave bie, ekziston mundësia që njëri ortak të marrë hise në çmimin origjinal të mallit të ortakut tjetër krahas mallit të tij që e ka investuar.
3. Imam Shafiu ka ardhur me një via media midis dy pikëpamjeve të shpjeguara më lart. Ai thotë se mallrat janë dy llojesh:
i) Dhevatu’l-emthal (الѧالامث ذوات), respektivisht mallrat të cilët, në rast të zhdukjes, mund të kompensohen me mallra të njëjtë në sasi dhe cilësi, si mielli, orizi etj. Nëse zhduken 100 kg miell, ato mund të zëvendësohen lehtë me 100 kg miell tjetër të të njëjtës cilësi.
ii) Dhevatu’l-kiimeh (ةѧالقيم ذوات), respektivisht mallra që nuk mund të kompensohen me mallra të njëjtë, si p.sh. gjedhi. Secila dele, për shembull, ka veçoritë e saj që nuk mund të hasen te ndonjë dele tjetër. Prandaj, nëse dikush e mbyt delen e dikujt, ai nuk mund t’ia kompensojë atij duke i dhënë një dele të ngjashme, porse lypet që ai t’ia paguajë çmimin që ka.
Tani, Imam Shafiu thotë se mallrat e llojit të parë (pra, dhevatu’l-emthal) mund të investohen në musharake si aksion i një ortaku në kapital, kurse mallrat e llojit të dytë (pra, dhevatu’l-kiimeh) nuk mund të bëhen pjesë e kapitalit aksionar.
Duke bërë këtë dallim midis dhevatu’l-emthal dhe dhevatu’l-kiimeh, Imam Shafiu i përgjigjet reagimit të dytë të Imam Ahmedit lidhur me “participimin me mallra” në musharake. Sepse në rastin e dhevatu’l-emthalit, rindarja e kapitalit mund të bëhet duke i dhënë secilit ortak mallrat e ngjashëm me ata që i ka investuar. Megjithëkëtë, reagimi i parë mbetet akoma pa përgjigje nga ana e Imam Shafiut.
Me qëllim që t’i përgjigjet reagimit të parë të Imam Ahmedit, Imam Ebu Hanifja thotë se mallrat që bëjnë pjesë në kategorinë e dhevatu’l-emthalit mund të bëhen pjesë të kapitalit aksionar vetëm nëse mallrat e investuar nga ana e secilit ortak përzihen bashkë në mënyrë që të mos mund të dallohen mallrat e njërit prej mallrave të tjetrit.
Thënë shkurt, nëse një ortak dëshiron të marrë pjesë në një musharake duke investuar disa mallra në të, ai mund ta bëjë këtë sipas Imam Shafiut pa asnjë kufizim, kurse aksioni i tij në musharake do të përcaktohet në bazë të vlerës momentale që ai e ka në treg, vlerës mbisunduese në datën e lidhjes së
musharakesë. Mirëpo, sipas Imam Shafiut, kjo mund të bëhet vetëm me mallrat e kategorisë së dhevatu’l-emthalit.
Sipas Ebu Hanifes, nëse mallrat janë të kategorisë standarde, të zëvendësueshme, kjo mund të bëhet duke i përzier mallrat e ortakëve në një të përbashkët. Ndërkaq nëse mallrat janë dhevatu’l-kiimeh, atëherë ato nuk mund të bëhen pjesë e kapitalit aksionar.
Duket se mendimi i Imam Malikut është më i thjeshtë dhe më i kapshëm, ngase u përgjigjet nevojave të biznesit modern. Prandaj, mund të veprohet me të. Së këndejmi, mund të përfundojmë nga sa u tha më lart se kapitali aksionar në një musharake mund të investohet ose në para në dorë ose në formë të mallrave. Në rastin e fundit, vlera e tregut për mallrat do ta përcaktojë aksionin e ortakut në
kapital.
Ky postim eshte pjese e serisë Rregullat kryesore të musharakesë