Në sunetin e të Dërguarit të Allahut, Muhamedit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, janë transmetuar disa hadithe në të cilat tregohet kuptimi i fjalës bidat, prej tyre janë:
- Hadithi i Irbad ibën Sarijes, Allahu qoftë i kënaqur me të, në të cilin gjendet fjala e të Dërguarit paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të: “Ruajuni nga gjërat e shpikura, sepse çdo shpikje është bidat (risi) dhe çdo bidat është devijim.”(E transmeton Ebu Davudi në “sunenin” e tij dhe termi është i tij 4/201 nr. 4607, Ibnu Maxhe 1/15 nr. 42 dhe Tirmidhiu 5/44 nr. 2776 i cili ka thënë se ky hadith është hasen-sahih. Hadithin e ka cilësuar sahih Albani në “dhilalul-xhenneti fij tahrixhi es-sunneti” – Ibën Ebi Asim 17 nr. 27.)
- Hadithi i Xhabir ibën Abdullahut, Allahu qoftë i kënaqur me të, ku thuhet se i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, në hutben (ligjëratën) e tij thoshte: “Fjala më e vërtetë është fjala e Allahut, udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit (paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të), ndërsa gjërat më të këqija janë ato të shpikurat dhe çdo shpikje është bidat, çdo bidat është devijim dhe çdo devijim çon në zjarr.”(Me këtë term e ka transmetuar Nesaiu në “sunenin” e tij 3/188, ndërsa esenca e këtij hadithi gjendet në “sahihu muslim” 3/153. Për më shumë ktheju librit “hutbetul-haxheh” – Albani)
Pasi e kuptuam nga këto hadithe se bidati qenka diçka e shpikur, atëherë duhet të shohim se si shpjegohet shpikja në sunetin e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të. Përkitazi me këtë çështje ekzistojnë disa hadithe:
- Hadithi, të cilin e transmeton Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur me të, nga i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, në të cilin thuhet: “Kushdo që shpik në çështjen tonë (fenë tonë) diçka që nuk është prej saj, ajo gjë është e refuzuar.”(E transmeton Buhariu 5/301 nr. 2697 dhe Muslimi 12/16 dhe ky term është i tij.)
- 4. Ndërsa, në një transmetim tjetër thuhet: “Ai që bën ndonjë vepër që nuk është në përputhje me çështjen tonë (fenë tonë), ajo vepër është e refuzuar.” ( E transmeton Muslimi 12/16)
Kur i meditojmë këto hadithe shohim se ato tregojnë qartë përkufizimin e bidatit sipas fesë. Kjo, për shkak se bidati në fe ka tri kushte specifike dhe nuk mund të quhet ndonjë gjë bidat në fe pa i plotësuar ato. Këto kushte janë:
- Të jetë gjë e shpikur.
- T’i përshkruhet kjo shpikje fesë.
- Të mos ketë ndonjë bazë në fe, qoftë në mënyrë të përgjithshme a të veçantë.